Thirrjet për hetim mbi vrasjet e mjekëve në Gaza po rriten

Medical Aid for Palestinians (MAP) dhe Amnesty International kanë dënuar vrasjen e 15 mjekëve dhe punonjësve të urgjencës që po përpiqeshin të shpëtonin civilë të plagosur nga sulmet izraelite më 23 mars.

MAP, një organizatë bamirësie me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, e quajti këtë ngjarje “një tjetër sulm të papranueshëm kundër operacioneve shëndetësore dhe humanitare në Gaza” dhe kërkoi “hetim të pavarur dhe ndërkombëtar urgjent” mbi incidentin.

“Tmerret e fundit që raportohen në Rafah shtrojnë pyetjen: çfarë duhet të ndodhë që qeveria britanike më në fund të mbrojë ligjin ndërkombëtar dhe jetët e palestinezëve?” pyeti Rohan Talbot, zëdhënës i MAP.

“Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të jetë aleate e mizorive dhe duhet të marrë masa të menjëhershme për të siguruar që ata që janë përgjegjës të mbajnë përgjegjësi të plotë.”

Amnesty tha se monitoruesit e pavarur duhet të kenë qasje të menjëhershme në Rripin e Gazës për hetime.

“Këta burra ishin paramedikë dhe punonjës shpëtimi që rrezikonin jetën e tyre çdo ditë, përballë bombave dhe plumbave, dhe punonin në kushte të tmerrshme për të shpëtuar jetë. Fakti që u vranë ndërsa po përpiqeshin të shpëtonin njerëz është jashtmase shqetësues dhe një tragjedi absolute,” tha Erika Guevara Rosas, zëdhënëse e Amnesty.

“Këto vrasje duhet të hetohen në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi,” shtoi ajo. /mesazhi