Shoqëria Civile ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) të njohë si racizëm dhe të dënojë Islamofobinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Rrjeti i Luftës kundër Racizmit në Evropë me qendër në Bruksel (ENAR) i përbërë nga shoqata me anëtarë muslimanë në vende të ndryshme të BE-së, ka deklaruar se gjendja e muslimanëve në Evropë po shkon gjithmonë e në përkeqësim dhe ka ftuar liderët politikë të BE-së të marrin masa urgjente në lidhje me këtë.
Në deklaratën e ENAR thuhet se duhet të hidhen hapa konkretë për dhënien fund të problemeve si diskriminimi, dhe dhuna në jetën e përditshme të muslimanëve. Në deklaratë theksohet gjithashtu se praktikat ndaj shamisë në Francë janë kundër të drejtave të njeriut dhe janë veprime abuzive politike.
Islamofobia në Britaninë e Madhe dhe në Gjermani është gjithnjë e në rritje, thuhet në deklaratë. Gjithashtu shtohet se në vende si Hungaria, Polonia, Sllovakia dhe vende të tjera të Evropës Lindore politikanët dhe qeveritë bëjnë deklarata që nxisin frikën dhe racizmin në mesin e qytetarëve.
Në deklaratë i bëhet thirrje institucioneve të BE-së të njohin në një farë mënyrë Islamofobinë si një racizëm si dhe të dënohet hapur.
Në kuadër të luftën kundër terrorizmit masat e marra zbatohen ndaj muslimanëve në mënyrë shumë të dhunshme, thuhet në deklaratë dhe më pas shtohet se si rrjedhojë e Islamofobisë femrat muslimane janë ato që kanë paguar më shumë.