Thirrje për transparencë dhe llogaridhënie nga Termokos dhe ZRRE në lidhje me faturimin e energjisë termike

Iniciativa CorrWatch, shpreh shqetësimin e thellë për faturimin e energjisë termike nga Termokos dhe kërkon një rishikim të menjëhershëm pas publikimit të faturave të tetorit dhe nëntorit.

Përmes një reagimi për media thuhet se këto fatura janë konsideruar të fryra dhe të shpërputhura me standardet e mbrojtjes së konsumatorëve, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në besimin e qytetarëve dhe në integritetin e procesit rregullativ në sektorin e ngrohjes termike.

“Një nga çështjet më shqetësuese është se faturat janë lëshuar pa miratimin e tarifave nga ZRRE. Në mënyrë të papranueshme, Termokos ka aplikuar komponentën e ndryshueshme (tarifa për furnizim/konsum), e cila është për konsumatorët që kanë matës të ngrohjes, ndonëse shumë banesa ende nuk kanë matës.

Kjo ka sjellë ankesa të shumta nga qytetarët, të cilët po përballen me rritje të papritur të faturave prej rreth 30%, pa një njoftim zyrtar që të njoftonte shtrenjtim tarifash për vitin 2024.

Për më tepër, Termokos ka vendosur dy kategori të reja kostosh, për konsum të përbashkët dhe kapacitet termik, pa ofruar një sqarim të qartë mbi metodologjinë ose arsyetimin pas këtyre ndryshimeve. Ky veprim është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, që kërkon informimin e saktë dhe transparent të qytetarëve për çdo tarifë dhe ndryshim që lidhet me shërbimin”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim bëhet e ditur se kjo situatë ka krijuar një valë ankesash nga konsumatorët, të cilët ndihen të ngarkuar me kosto të paarsyeshme dhe të pajustifikuara.

“ZRRE, si autoriteti përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorëve dhe monitorimin e tarifave, duhet të ndërhyjë urgjentisht për të adresuar këto çështje dhe për të siguruar që: Nëse ka pasur rritje tarifash, të shpjegohen arsyet dhe bazat përkatëse;

Komponenta e ndryshueshme të hiqet nga faturat për ata që nuk kanë matës, pasi nuk ka bazë ligjore për aplikimin e saj;

Faturat e tetorit dhe nëntorit të pasqyrojnë tarifat e vitit të kaluar, pasi ato janë shpërndarë pa miratimin e tarifave përkatëse;

Kostoja e tepërt që është aplikuar në këto muaj të zbritet në faturat e dhjetorit”, thuhet në njoftim.

Informimi i duhur, transparenca dhe llogaridhënia janë kyçe për të rikthyer besimin e konsumatorëve dhe për të mbrojtur integritetin e procesit rregullativ dhe të operatorit të energjisë termike. Fatura të rritura e të papërballueshme të ngrohjes nënkuptojnë edhe ulje të cilësisë së jetës së qytetarëve, por edhe rritje të konsumit nga energjia elektrike, çka nuk i kontribuon fazës së tanishme të tranzicionit energjetik në të cilin ndodhet Kosova.

CorrWatch, i bën thirrje Termokosit të kryejë detyrimin ligjor për shërbim të drejtë e cilësor për konsumatorët dhe ZRRE-së që të ndërhyjë sa herë që të drejtat e tyre shkelen.