Thirrje për Bamirësi në Ramazan: Investoni në Edukim!

Hoxhë Vladimir Kera

Mungesa e njerëzve të edukuar është një nga krizat më të mëdha me të cilën përballemi sot. Nuk mjafton të flasim për edukimin, ai kërkon përpjekje të vazhdueshme, planifikim strategjik dhe projekte konkrete që japin rezultate.

Muslimanë të pasur, fillimisht hapni horizontet dhe pastaj hapni xhepat tuaj. Identifikoni të rinjtë premtues myslimanë përreth jush, vlerësoni aftësitë e tyre dhe, nëse është e nevojshme, kërkoni ndihmë profesionale për këtë proces. Në këtë rrugë, sigurohuni që të bëni këto tri gjëra kryesore:

1. Jepni bursa për stuadime dhe udhëtime.

Investoni në studime universitare dhe jo vetëm, blini bileta fluturimi për të rinjtë muslimanë, jepuni mbështetje financiare dhe dërgojini në vende të ndryshme të botës islame. Ndihmojini ata të eksplorojnë gjeografinë dhe kulturën tonë, me kusht që pas kthimit të ndajnë përvojat dhe mësimet e fituara përmes një raporti të detajuar.

2. Jepni bursa për Libra

Përveç bursave akademike, ofroni mbështetje financiare për blerjen e librave. Dedikoni fonde të posaçme që të rinjtë të mund të furnizohen me literaturë të vlefshme. Ndihmoni ata të marrin pjesë në panaire librash ndërkombëtare dhe t’i ndjekin nga afër zhvillimet më të fundit në shkencë dhe dituri.

3. Jepni bursa për Mësimin e Gjuhëve

Mbështesni të rinjtë muslimanë për të studiuar gjuhë të huaja brenda dhe jashtë vendit. Financoni kurse intensive dhe programe studimi që do t’i ndihmojnë të përkthejnë vepra nga gjuhët e huaja në gjuhën tonë, të përfaqësojnë muslimanët në forume ndërkombëtare dhe të kontribuojnë në prodhimin e veprave cilësore në vendin tonë.

Njohja e gjeografisë, formimi i mendjeve të ndritura dhe përhapja e diturisë

Këto janë fusha që kërkojnë mbështetjen urgjente të muslimanëve të pasur, mendjehapur dhe të përkushtuar në bamirësi.

Dhe nëse pyesni:

Si t’i gjejmë të rinjtë e duhur për t’i mbështetur?

Më besoni, është më e lehtë sesa mendoni. Mjafton të kërkoni me vëmendje…🤲

Le të bëhemi sebep për një brez të ndritur!

Hoxhë Vladimir Kera