Thirrja e Hudit (a.s)

Elton Harxhi

Hudi (a.s) është profeti i parë arab që është përmendur në Kuranin Fisnik.  Në Kuranin Fisnik, Allahu i Madhëruar na tregon se ai është dërguar në popullin e Adit i  cili banonte në zonën e quajtur Ahkaf. Allahu i Madhëruar na tregon se populli i Adit adhuronin idhujt, ishin tepër të fortë fizikisht dhe ishin dhënë pas ndërtimit të ndërtesave të larta.

Detyra dhe misioni i Hudit (a.s):

Padyshim që misioni i Hudit (a.s) – ashtu si dhe i gjithë profetëve të tjerë – ishte thirrja e popullit që të adhuronte vetëm Allahun e Madhëruar dhe të braktiste adhurimin e idhujve. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Fisit Ad i dërguam vëllanë e tyre, Hudin. Ai tha: O populli im. Adhurojeni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. A nuk po i ruheni dënimit të Tij.”[1]

Po cili ishte reagimi i popullit të tij? Jo vetëm paria, por edhe masat e gjera e përgënjeshtruan dhe e mohuan mesazhin e tij dhe nuk pranuan që të braktisnin adhurimin e idhujve. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata thanë: Ne nuk do t’i braktisim zotat tanë dhe nuk të besojmë ty.”[2]

Hudi (a.s) i tregon popullit se cili është misioni i tij: “Unë ju sjell shpalljet e Zotit tim dhe jam këshilltar besnik.”[3]

Metodat dhe format që Hudi (a.s) përdori në thirrjen e tij:

Në Kuranin Fisnik, Allahu i Madhëruar tregon se Hudi (a.s) përdori një sërë metodash, formash dhe mekanizmash për t’i thirrur bashkëkombasit e tij në besim.

Hudi (a.s) është i qartë në atë gjë për të cilën e thërret popullin e tij, ashtu sikur Allahu i Madhëruar thotë: O populli im. Adhurojeni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. A nuk po i ruheni dënimit të Tij.”[4]

Hudi (a.s) përdor metodën e motivimit dhe i kujton popullit të tij disa prej mirësive që Allahu i Madhëruar u kishte dhënë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kujtoni që Ai ju bëri zëvendës pas popullit të Nuhut dhe ju dha trup e fuqi të madhe. Kujtoni dhuntitë e Allahut, në mënyrë që të keni sukses.”[5] “Frikësojuni Atij, i Cili ju ka dhuruar ato që i dini: ju dhuroi juve bagëti dhe fëmijë, edhe kopshte, edhe burime.”[6]

Ashtu sikur Hudi (a.s) ka përdorur metodën e motivimit, po ashtu ai (a.s) ka përdorur edhe metodën e qortimit, kërcënimit dhe paralajmërimit për atë që e pret popullin nëse nuk i bindet urdhërit të tij, sepse të dy këto metoda janë metoda të cilat i ka përdorur çdo profet me popullin e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Unë, me të vërtetë, i trembem për ju dënimit të një Dite të madhe.”[7]

Përveç adhurimit të idhujve – që padyshim është mëkati më i madh dhe që nuk falet – populli i Adit kishte edhe disa mëkate dhe vese shumë të këqija, të cilat Hudi (a.s) ia kujton atyre me qëllim që ata të largohen prej tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë a nuk i frikësoheni ju Allahut … A mos vallë në çdo kodrinë po ngrini përmendore për t’u tallur. Dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë? Edhe kur përdorni forcën, e shfrytëzoni atë si tiranë?!”[8]

Ashtu sikur Nuhu (a.s) pat kërkuar nga populli i tij që të bënin istigfar, po ashtu edhe Hudi (a.s) kërkon prej popullit të tij të njëjtën gjë. Allahu i Madhëruar thotë: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe khehuni tek Ai të penduar, se Ai do do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës.”[9]

Reagimi, akuzat dhe dyshimet e popullit të Adit kundrejt Hudit (a.s):

Allahu i Madhëruar na tregon për reagimin negativ të popullit të Adit, akuzat dhe dyshimet e shumta që ata hodhën kundrejt Hudit (a.s) dhe thirrjes së tij.

Populli i Adit nuk iu bind thirrjes së Hudit (a.s) për të braktisur adhurimin e idhujve, madje ata e kundërshtuan me forcë faktin që në vend të idhujve të adhuronin Allahun. Allahu i Madhëruar thotë: “A na erdhe (që të na thuash) që të adhurojmë vetëm Allahun e të braktisim atë ç’ka adhuronin prindërit tanë?!”[10] Mirëpo Hudi (a.s) u tregon atyre se idhujt nuk janë gjë tjetër vetëm se pjellë e fantazisë së njerëzve. Allahu i Madhëruar thotë: “A më kundërshtoni mua për emrat e idhujve, të cilët ua keni vënë ju dhe prindërit tuaj, për të cilët Allahu nuk ka sjellë kurrfarë diturie.”[11]

Populli i Aditi pretendoi se zotat e tyre të rremë e kishin goditur atë me ndonjë të keqe. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne themi vetëm se ty të ka goditur ndonjë e keqe nga zotat tonë.”[12] E kësaj akuze krejtësisht të pabazë, Hudi (a.s) iu përgjigj me fjalët: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni.”[13]

Populli i Adit dhe paria e popullit të tij nuk besonte në Ditën e Gjykimit. Allahu i Madhëruar thotë: “Por paria e popullit të tij, e cila nuk besonte dhe e mohonte takimin në botën tjetër”[14] “Ai ju premton ai që kur të vdisni e të bëheni pluhur dhe eshtra do të ringjalleni vërtet?! Sa premtim qesharak që është. Nuk ka jetë tjetër përveç jetës së kësa bote, ne jetojmë e vdesim e nuk do të ringjallemi më.”

Populli i Adit e akuzoi Hudin (a.s) se ai ishte një njeri si ta, thjesht vetëm si prektekst për të mos besuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është një njeri si ju, ha nga ato që hani edhe ju dhe pi nga ato që pini edhe ju.”[15] E përgjigja e Hudit (a.s) ishte: “A mos ju erdhi çudi që ju erdhi shpallja nga Zoti juaj përmes një njeriu nga mesi i juaj, e për t’jua tërhequr vëmendjen.”[16]

Paria e popullit të Adit e thërret popullin e vet që mos t’i binden Hudit (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse ju i bindeni një njeriu si ju me siguri, do të jeni të humbur.”[17]

Populli i Adit kërkon prej Hudit (a.s) që të vijë me ndonjë mrekulli. Allahu i Madhëruar thotë: “O Hud, ti nuk na ke sjellë kurrfarë prove të dukshme për fjalët e tua.”[18]

Populli i Adit, fjalët e Hudit (a.s) i morën si të kota dhe si rrjedhojë i kërkuan atij me qësendi dhe shpoti dënimin. Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a ke ardhur të na largosh prej hyjnive tona. Sillna atë (dënimin) që po na premton dhe të shohim nëse thua të vërtetën.”[19] Pavarësisht se ata folën me qesëndi, Hudi (a.s) me seriozitetin më të madh u tregon se dënimi është i vërtetë për shkak të mosbesimit të tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Vetëm Allahu e di se kur do të vijë dënimi. Unë kam për detyrë vetëm që t’ju përcjell mesazhin për të cilin jam dërguar, por shoh se ju jeni një popull i zhytyr në padije.”[20] “Zoti im do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër. Atij nuk mund t’i bëni kurrfarë dëmi.”[21]

Populli i Adit  e akuzoi Hudin (a.s) si një njeri mëndjelehtë, të çmendur e gënjeshtar. Allahu i Madhëruar thotë: “Prijësit e atyre që nuk besuan nga kombi i tij thanë: Në të vërtetë ne të shohim ty në marrëzi dhe të mendojmë e na dukesh prej gënjeshtarëve.”[22] E përgjigja e Hudit (a.s) ishte: “O populli im! Nuk ka marrëzi tek unë, por unë jam i Dërguar nga Zoti i botëve. Unë ju sjell juve mesazhet e Zotit Tim dhe jam këshillues besnik.”[23]

Populli i Adit e akuzoi Hudin (a.s) si një njeri që shpif e trillon në emër të Zotit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai është vetëm një njeri që trillon gënjeshtra për Allahun, prandaj nuk i besojmë atij.”[24]

E kur Hudi (a.s) e vuri re se populli i tij vazhdonte të këmbëngulte në mosbesimin e tij duke thënë: “Për ne është krejt njëlloj, njëlloj si na këshillove, si nuk na këshillove.”[25]iu lut Allahut të Madhëruar me fjalët: “Zoti im më ndihmo se ata po më përgënjeshtrojnë.”[26] E Allahu iu përgjigj lutjes së tij: “Së shpejti ata do të pendohen. Atëherë me të drejtë ata i zuri ushtima (dënimi) dhe ashtu i bëmë sikur të ishin hedhurina. Larg qoftë prej mëshirës së Zotit populli zullumqar.”[27]

Shenjat dalluese në thirrjen e Hudit (a.s):

Besimi i Hudit (a.s) është në gradën më të lartë të besimit dhe këtë ai e dëshmon në shumë raste:

Ai i mbështetet vetëm Allahut të Madhëruar, ashtu sikur i Lartmadhëruari thotë në Kuranin Fisnik: “Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak. Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj.”[28]

Ai dëshmon se Allahu është i Gjithëpushtetshmi, ashtu sikur i Lartmadhëruari thotë në Kuranin Fisnik: “S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij.”[29]

Ai dëshmon se Allahu është Ruajtësi i çdo gjëje, ashtu sikur i Lartmadhëruari ka thënë në Kuranin Fisnik: “Vërtet, Zoti im është Ruajtës i çdo sendi.”[30]

Hudi (a.s) nuk kërkon shpërblim nga populli i tij për thirrjen e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “ O populli im! Unë nuk kërkoj nga ju shpërblim për këtë. Mua më shpërblen vetëm Ai që ma ka krijuar! A nuk e kuptoni?!”[31]

Hudi (a.s) tregon se e ka përcjellë dhe përmbushur misionin  e tij të thirrjes. Allahu i Madhëruar thotë: “E nëse ju shmangeni, unë tashmë jua kam përcjellë atë (mesazhin), për të cilin jam dërguar te Zoti juaj.”[32]

Autor: Elton Harxhi

[1] – Sure A’raf: 65.

[2] – Sure Hud: 53.

[3] – Sure A’raf: 68

[4] – Sure A’raf: 65.

[5] – Sure A’raf: 69.

[6] – Sure Shuara: 132 – 134.

[7] – Sure Shuara: 135.

[8] – Sure Shuara: 124, 128 – 130.

[9] – Sure Hud: 52.

[10] – Sure A’raf: 70.

[11] – Sure A’raf: 71.

[12] – Sure Hud: 54.

[13] – Sure Hud: 54.

[14] – Sure Mu’minun: 33.

[15] – Sure Mu’minun: 33.

[16] – Sure A’raf: 69.

[17] – Sure Mu’minun: 34.

[18] – Sure Hud: 53.

[19] – Sure Ahkaf: 22.

[20] – Sure Ahkaf: 23.

[21] – Sure Hud: 57.

[22] – Sure A’raf: 66.

[23] – Sure A’raf: 67 – 68.

[24] – Sure Mu’minun: 38.

[25] – Sure Shuara: 136.

[26] – Sure Mu’minun: 39.

[27] – Sure Mu’minun: 40 – 41.

[28] – Sure Hud: 55 – 56.

[29] – Sure Hud: 56.

[30] – Sure Hud: 57.

[31] – Sure Hud: 51.

[32] – Sure Hud: 57.