Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me plagosjen e sotme në afërsi të Tregut të Gjelbër në Prishtinë. Sipas policisë rasti ka ndodhur rreth orës 17:00, ku kanë pranuar informatën për një rrahje në rrugën Agim Deva në Prishtinë, e ku kanë qenë të përfshirë disa persona.
“Në këtë rast dyshohet se janë lënduar katër persona, njëri nga ta dyshohet se ka pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë (thikë). Lidhur me këtë rast deri tani janë arrestuar tre persona. Policia në koordinim me prokurorinë po ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale”, ka bërë të ditur për RTK-në, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.
Plagosje me thikë në Prishtinë
Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e një kacafyetje në afërsi të Tregut të Gjelbër në Prishtinë.
Sipas dëshmitarëve, një grup të rinjsh janë kacafytur mes vete, e ku një person ka mbetur i lënduar me thikë në këmbë. Policia ka arritur me kohë në vend të ngjarjes, duke lokalizuar viktimën dhe dorasin. Sipas dëshmitarëve dorasi është arrestuar.