Themeluesi i bursës famëkeqe të kriptomonedhave Sam Bankman-Fried shpallet fajtor, rrezikon dekada burgim

Dënimi është një fitore për Departamentin Amerikan të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm të Manhattan Damian Williams i cili e ka bërë prioritet çrrënjosjen e korrupsionit nga tregjet financiare.

Themeluesi i FTX Sam Bankman-Fried u shpall fajtor ditën e Enjte për vjedhjen e konsumatorëve të bursës së tij famëkeqe të kriptomonedhave në një prej mashtrimeve financiare më të mëdha regjistruar ndonjëherë.

Një juri prej 12 anëtarësh në gjykatën federale të Manhattan shpallën Bankman-Fried fajtor për shtatë akuzat që rëndonin mbi të pasi një procesi gjyqësor që zgjati një muaj dhe prokurorët e akuzonin për vjedhjen e 8 miliardë dollarëve nga përdoruesit e FTX.

Verdikti erdhi pothuajse një vit pasi FTX shpalli falimentin, një lëvizje e cila shokoi tregjet financiare dhe zhduku pasurinë e tij personale prej 26 miliardë dollarësh.

Juria mori vendimin pas katër orësh diskutime. Bankman-Fried kishte kërkuar pafajësinë mbi dy akuza mashtrimi dhe pesë akuza për konspiracion.

Dënimi është një fitore për Departamentin Amerikan të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm të Manhattan Damian Williams i cili e ka bërë prioritet çrrënjosjen e korrupsionit nga tregjet financiare.

Dikur një prej figurave më të dashura të botës kripto, Bankman-Fried, i njohur për veshjen e tij karakteristike prej pantallonash të shkurtra dhe bluzash T-Shirt në vend të një kostumi biznesi, i bashkohet emrave si Bernie Madoff të skemës Ponzi dhe “Ujkut të Wall Street” Jordan Belfort si individë që janë dënuar për krime të mëdha financiare.

Dënimi i tij do të bëhet publik më 28 Mars 2024 ndërsa rrezikon të kalojë dekada prapa hekurave. Ai pritet të rikthehet në gjyq në Mars të vitit të ardhshëm ndërsa një raund i dytë akuzash për dhënie ryshfeti dhe mashtrim financiare janë sjellë nga prokurorët.

Prokurorët argumentuan se Bankman-Fried kishte transferuar paratë e konsumatorëve në fondin e tij kripto Alameda Research. Alameda përdori paratë për të paguar huadhënësit ndërsa këtë kompani Bankman-Fried e përdori për të bërë investime spekulative e madje investuar 100 milionë dollarë në fushata politike Amerikane për të promovuar ligjin kripto në favor të bizneseve të tij.

Përballë gjykatës ai tha se ka bërë gabime gjatë kohës që ka drejtuar FTX, por refuzoi akuzat se ka vjedhur fondet e konsumatorëve. Sipas tij Alameda ka marrë hua nga FTX. Por prokurorët mendonin ndryshe.

“Ai kishte një plan dhe motiv, të boshatiste depozitat e klientëve të FTX prej miliarda dollarë për ti dhënë vetes para, fuqi dhe ndikim. Ai mendoi se rregullat nuk aplikohen mbi të,” tha prokurorja Danielle Sassoon përpara jurisë.