India raportoi të hënën për mbi 300,000 raste të reja me koronavirus, për të 12-ën ditë me radhë, dhe për 3,417 viktima.
Me 368,147 rastet e reja gjatë 24 orëve të fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Indi qëndron në 19.93 milionë, ndërsa numri i viktimave është mbi 218,000, tha Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi.
Ekspertët mjekësorë thonë se shifrat reale mund të jenë pesë deri në 10 herë më të larta se numri zyrtar, pasi jo të gjithë të infektuarit dhe viktimat raportohen apo regjistrohen.
Spitalet atje janë duke u përballur me mungesa të mëdha të shtretërve dhe oksigjenit, ndërsa familjarët e të infektuarve bëjnë thirrje për ndihmë në mediat sociale. Morgjet dhe krematoriumet janë gjithashtu të mbingarkuara.
Situatë më e rëndë raportohet në kryeqytetin Delhi. Disa spitale të mëdha atje mbështeten në furnizimet ditore me oksigjen dhe nuk kanë asnjë rezervë në rast urgjence.
Kryeministri i Delhit, Arvind Kejriwal, tha se qyteti nuk është duke marrë oksigjen të mjaftueshëm nga Qeveria federale, e cila ndan kuotat e oksigjenit nëpër shtete.
Zyrtarët federalë thanë se nuk ka mungesa oksigjeni, por, sipas tyre, sfidat u shfaqën si pasojë e transportit.
Qeveria britanike njoftoi se do të dërgojë 1,000 ventilatorë në Indi. Të premten, atje arriti edhe një kontingjent ndihmash nga SHBA-ja, i cili përfshinte bombola oksigjeni, maska dhe teste të shpejta diagnostikuese.
Qeveria e kryeministrit indian, Narendra Modi, rezistoi në vendosjen e një izolimi mbarëkombëtar, por shumë shtete vendosën kufizimet e veta për të frenuar koronavirusin.
“Sipas mendimit tim, vetëm qëndrimi kombëtar në shtëpi dhe shpallja e urgjencës mjekësore do të ndihmojnë për të adresuar nevojat aktuale të kujdesit shëndetësor”, shkroi në Twitter Bhramar Mukherjee, epidemiolog në Universitetin e Miçigenit.
Qeveria e Modit po përballet me kritika në rritje për shkak të trajtimit të pandemisë dhe vendimit për të lejuar tubime të mëdha zgjedhore dhe festivale fetare, në javët e fundit.
Udhëheqësit e 13 partive të opozitës në Indi nënshkruan të dielën një letër, duke i kërkuar Modit që të fillojë menjëherë vaksinimin kombëtar falas dhe të caktojë prioritetet e furnizimit me oksigjen në spitale dhe qendra shëndetësore.
Disa shtete e shtynë vaksinimin e të rriturve, i paraparë të fillonte të shtunën, për shkak të mungesës së vaksinave.
Ministria kombëtare e Shëndetësisë tha se shtetet kanë të grumbulluara 10 milionë vaksina dhe 2 milionë të tjera pritet të sigurohen në tre ditët e ardhshme.
Edhe pse është prodhuesja më e madhe në botë e vaksinave, India nuk ka mjaftueshëm për vete.
Më pak se 10 për qind e popullatës së saj prej 1.4 miliard banorësh kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës kundër koronavirusit.
Alarmi i situatës epidemiologjike është në rritje edhe në pjesë të tjera të Azisë Jugore. /rel