Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, presidenti Thaçi e ka njoftuar se transformimi i FSK-së do të bëhet hap pas hapi, në mënyrë të koordinuar dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Deklaratë e presidentit Thaçi pas bisedës telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s:
Sot pranova një telefonatë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilin e falënderova për vizitën e tij në Kosovë, në fillim të muajit dhe për diskutimin konstruktiv që patëm, por diskutuam edhe për ndryshimet ligjore që Forca e Sigurisë së Kosovës të marrë kompetenca të shtuara në sektorin e sigurisë në Kosovë.
Në bisedë me sekretarin Stoltenberg theksova edhe një herë se përpjekjet dhe aspiratat e Kosovës që FSK-ja të transformohet në Armatë të Kosovës janë të njohura për partnerët tanë ndërkombëtarë.
Gjithashtu, shtova se tash e tri vite jemi përpjekur t’i bindim serbët që të jenë pjesë e procesit dhe ta përkrahin themelimin e Armatës së Kosovës. Por, ata kanë deklaruar se nuk do të votojnë kurrë dhe se janë direkt të dirigjuar nga Serbia, nga Beogradi.
Sekretarit Stoltenberg i tregova se ne do të dëshironim që transformimi i FSK-së të bëhet me ndryshimet kushtetuese, por është e pamundur për shkak se serbët e Kosovës janë drejtpërdrejtë të dirigjuar nga Serbia dhe sikur bashkësia ndërkombëtare të ofronte garanci se serbët do të votojnë ndryshimet kushtetuese, atëherë ne do të kishim qenë të gatshëm që t’i presim.
Por, ne nuk mund të mbesim peng i vullnetit politik të Serbisë.
Gjithashtu, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s i tregova se FSK-ja do të mbetet e njëjtë, por do të ketë kompetenca të reja dhe mision të ri dhe kërkova që NATO-ja të vazhdojë bashkëpunimin me FSK-në.
Në bisedën telefonike me sekretarin Stoltenberg shpreha mirëkuptimin për shqetësimet e disa anëtarëve të NATO-s dhe qëndrimet e shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të cilave megjithatë u jemi mirënjohës për punën e mrekullueshme që kanë bërë në Kosovë dhe për qëndrimin e vazhdueshëm konstruktiv karshi Kosovës.
Për transformimin e FSK-së, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s e njoftova se kjo do të bëhet hap pas hapi, siç është planifikuar me Rishikimin e Sektorit të Sigurisë që është bërë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare.
Çdo gjë do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, që janë përpiluar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe Forca e Sigurisë e Kosovës do të mbetet forcë shumetnike dhe do të promovojë multietnicitetin si vlerë. Prandaj, ndryshimi i misionit të FSK-së nuk do të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë.
Sekretarin Stoltenberg e sigurova se do ta respektojmë çdo marrëveshje të deritashme me NATO-n dhe se ndryshimi i misionit të FSK-së nuk do të ketë asnjë ndikim në rolin dhe misionin e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë.
Nuk do të ndryshojë as përkushtimi i Kosovës për të vazhduar dialogun me Serbinë.
Duke shprehur bindjen se çështja e transformimit të FSK-së është rritur pa nevojë, sekretarit Stoltenberg ia rikonfirmova se i tërë procesi do të jetë transparent, i koordinuar dhe jo i njëanshëm.