Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se projektligji për Ushtrinë, ka unifikuar spektrin politik të Kosovës.
Ai ka shtuar po ashtu se Ushtria e Kosovës do të bëhet në partneritet të plotë me faktorin ndërkombëtar, njofton Klan Kosova.
“Transformimin do ta bëjë duke ruajtur partneritetin me miqtë tanë. Pra do të kemi edhe ushtri edhe partnerët. NATO dhe partnerët tanë duhet ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces”, ka thënë Thaçi në debatin e hapur me mediat serbe dhe shoqërinë civile.
Më tej ka thënë se është i sigurt se gjithë protagonistët politikë të përfshirë në këtë proces do të jenë në krye të detyrës.
“Në fund ju takon deputetëve që të marrin vendimin për FSK-në respektivisht Ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
“FSK do të jetë ushtria jonë e përbashkët”, ka shtuar ai.
“Serbia ndaj Kosovës ruan politikat që kanë shkaktuar luftë, është burim i nacionalizmit në Ballkanin Perëndimor. Serbia vazhdon të pengojë Kosovën në çdo hap. Rritja e misionit të FSK-së nuk është kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon, aq më tepër për ndonjë qytetar të saj”.
Thaçi ka theksuar se FSK në praktik është Ushtri e Kosovës, sepse është e armatosur.
“Duhet ta nisim edhe procesin që kjo të jetë ushtri de jure, si hap për anëtarësimin në NATO”.
Thaçi po ashtu u ka bërë thirrje politikanëve serbë që të kthehen në institucione.
“Ndoshta është interes i Serbisë që t’i mbajë ata jashtë institucioneve, por nuk është në interesin e serbëve të Kosovës”, ka shtuar ai.