Thaçi: Shqipëria ka bërë hapa përcaktues drejt BE-së, Kosova pret liberalizimin e vizave

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë qëndrimit në Tiranë ka takuar kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ndërkaq kanë biseduar për bashkëpunimin reciprok dhe procesin integrues.

Thaçi shkruan në Facebook se Shqipëria ka bërë hapa përcaktues drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, derisa Kosova, pas MSA-së, pret liberalizimin e vizave dhe dinamikë të shtuar drejt anëtarësimit në BE.

Lexoni të plotë postimin e Thaçit në Facebook:

“Gjatë qëndrimit tim në Tiranë, zhvillova një takim edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin biseduam për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona.

Duhet vazhduar me shkëmbimin e përvojave ndërshtetërore, për të forcuar edhe më shumë demokracinë parlamentare si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Shqipëria ka bërë hapa përcaktues drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, derisa Kosova, pas MSA-së, pret liberalizimin e vizave dhe dinamikë të shtuar drejt anëtarësimit në BE.

Orientimi kah vlerat euroatlantike dhe perëndimore është njëra ndër të arriturat më strategjike të shqiptarëve në këtë shekull”.