Thaçi – Pompeos: U shkel marrëveshja për Specialen, qe 10 vjet kërcënohemi se do të na dënojnë

Presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, ia ka nisur një letër sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, me të cilin e ndan shqetësimin lidhur me veprimtarinë e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke u deklaruar se është shkelur marrëveshja e cila ishte bërë vite më parë për Gjykatën Speciale.

Presidenti i Kosovës, në letrën që i ka nisur sekretarit të shtetit amerikan,  shkruan se ka pasur pak progres në zbatimin e mandatit të paraparë të Dhomave të Specializuara.

Thaçi thotë se ka rezerva serioze, derisa flet në emër të institucioneve të Kosovës, duke shtuar se Dhomat e Specializuara nuk kanë dhënë rezultate siç është e paraparë me mandatin e përcaktuar në letrat e BE-së dhe në marrëveshjen me shtetin e Holandës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit Special të Kosovës janë institucione të brendshme që veprojnë brenda hierarkisë kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës. Është e rëndësishme që të jetë evidente se këto institucione edhe funksionojnë si të tilla dhe që kontribuojnë në objektivat e përgjithshme të reformave të institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar.

I pari i Kosovës thotë se mënyrat se si po veprojnë institucionet është në kundërshtim direkt me atë se çka ishte e paraparë, duke thënë se ky është një shqetësim serioz, për të cilin është i obliguar që të reagojë si president i shtetit.

Thaçi ka kërkuar siguri për personat e përfshirë në proces, duke përsëritur se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special janë institucione të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e sistemit vendor të drejtësisë.

“Qëllimi i themelimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës ka qenë që të ndërtohet një kornizë vendore ligjore dhe institucionale kredibile për t’i hetuar dhe ndjekur krimet që dyshohet të jenë kryer gjatë 1998-2000 në Kosovë. Në këtë kontekst ka qenë e paraparë që krimet që dyshohet të jenë kryer në të dy anët e konfliktit do të hetoheshin plotësisht dhe në mënyrë të duhur”.

Thaçi thotë se është zhgënjyese që zyra e prokurorit special ka dedikuar burimet e veta për të hetuar vetëm një grup etnik, pra vetëm shqiptarët e Kosovës, duke thënë se kjo e dëmton kredibilitetin e procesit.

“Është e papranueshme që personat emrat e të cilëve janë përmendur në raporte publike, siç është ai i senatorit zviceran Dick Marty, i publikuar në vitin 2010, i janë nënshtruar për gati 10 vjet kërcënimeve se do të hetohen dhe potencialisht të gjykohen”.

Ai ka kritikuar, duke thënë se ka raporte të besueshme që pohojnë se kornizat statutore dhe procedurale të Dhomave të Specializuara të Kosovës nuk janë në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht për gjykim dhe trajtim të drejtë.

Tutje, ka përmendur faktin se personat që janë të përfshirë në proces nuk kanë të siguruara viza afatgjate Schengen për të udhëtuar, mirëpo, ju jepen viza për 14 ditë.

Thaçi ka kërkuar që këto shqetësime të tij të merren në konsideratë me urgjencë nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Mirëpo, duket se këtë letër të Thaçit ku ai e shpreh shqetësimin lidhur me veprimtarinë e Speciales, janë pritur ndryshe në Shtetet e Bashkuara.

Kjo është parë si tentativë e presidentit për të ndikuar në punën e Speciales, teksa, Pompeo ia ka treguar edhe pasojat nëse Kosova tenton të pengojë punën e Speciales.

“Shfuqizimi ose minimi i punës, strukturës ose lokacionit të Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në çfarëdo mënyre do ta dëmtonte seriozisht kredibilitetin e Kosovës në botë; pretendimet do të mbeteshin njollë e përhershme mbi Kosovën; do të vihej në dyshim përkushtimi i Kosovës në sundimin e ligjit; mohohet drejtësia për viktimat; dhe e mjegullon të ardhmen e Kosovës si anëtare e familjes Euro-Atlantike dhe komunitetit ndërkombëtar. Operimi i Dhomave të Specializuara, sipas formatit aktual është mënyra më e mirë që Kosova ta përmbyll këtë kapitull të historisë së saj dhe për t’ia mundësuar Shteteve të Bashkuara të kundërshtojnë argumentet e mohuesve të shtetit të Kosovës…”, shkruan në letër.

Përmbajtjen e letrës që i ka nisur Pompeo e ka komentuar sot shkurtimisht edhe presidenti.

“Ajo letër është e qartë e qëndrueshme, shumë e saktë”, tha Thaçi pa komentuar më shumë për këtë çështje