Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës nuk mund të konsiderohet unilateral.
Kjo sepse sipas Thaçit, opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar është në dijeni që për tre vjet me radhë jemi duke punuar në këtë drejtim.
Madje, sipas Thaçit, ky veprim do të mund të konsiderohej i njëanshëm vetëm në rast se dikush nga bashkësia ndërkombëtare aludon që Kosova duhet të marrë leje nga Serbia për vendimet e saj sovrane.
Ndërkohë, edhe gjatë ditës së sotme, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i ka paralajmëruar autoritetet kosovare për pasoja nëse themelojnë Ushtrinë e Kosovës nëpërmjet ligjit.
Diplomati amerikan ka thënë se ka qenë i habitur me propozimin e Presidentit Hashim Thaçi për ndryshimin e projektligjit të FSK-së, hap që për më tepër e ka bërë të ndihet i zhgënjyer marrë parasysh të gjithë përkushtimin e ShBA-ve për të ndërtuar kapacitetet aktuale të FSK-së.
Lexo po ashtu:
Delawie kërkon të ndalohet themelimi i ushtrisë në këtë fazë
Delawie kërkon të ndalohet themelimi i ushtrisë në këtë fazë
Ky është postimi i plotë i Thaçit në Facebook:
Qytetarë të nderuar,
Siç jeni të njoftuar, dje i kam dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në të cilën shkurtimisht kam paraqitur të gjitha argumentet kushtetuese, ligjore dhe politike për domosdoshmërinë e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës dhe kam shpjeguar pse ky transformim duhet të ndodhë pikërisht tani.
Ky transformim nuk mund të konsiderohet unilateral, sepse opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar është në dijeni që për tre vjet me radhë jemi duke punuar në këtë drejtim.
Ky veprim do të mund të konsiderohej i njëanshëm vetëm në rast se dikush nga bashkësia ndërkombëtare aludon që Kosova duhet të marrë leje nga Serbia për vendimet e saj sovrane.
Më lejoni të jem i qartë: kjo nuk do të ndodhë.
Më poshtë mund ta lexoni letrën e plotë në versionin shqip që ia kam dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. HTH