Thaçi pas takimit me zv.presidentin e SHBA-ve: Po punojmë bashkë për formimin e Ushtrisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ka pasur një takim miqësor me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence në kryeqytetin e Malit të Zi.

Thaçi thënë se po punojnë bashkërisht për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Sapo pata një bisedë tepër miqësore, por edhe përmbajtjesore, me zëvendëspresidentin Pence të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova tani, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë. Prandaj, po punojmë bashkërisht për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si forcë mbrojtëse profesionale e multi-etnike në shërbim të të gjithë qytetarëve”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në “Facebook”.

Ai më tej ka thënë se ka Kosova edhe në të kaluar edhe në të ardhmen do të jetë bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Prandaj jemi të pakompromis në luftimin e çdo ekstremizmi, radikalizmi dhe terrorizmi; prandaj jemi të përcaktuar për dialog e marrëdhënie të mira fqinjësore. Kjo është mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen tonë për partneritetin dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja ka qenë me ne në të kaluarën dhe do të jemi bashkë edhe në të ardhmen. Lidershipi amerikan është i pazëvendësueshëm për aspiratën tonë euro – atlantike”, ka shkruar Thaçi.