Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka nisur të hënën një vizitë dy ditore në Tiranë i ftuar nga homologu i tij shqiptar Bujar Nishani. Thaçi në një konferencë të përbashkët me gazetarë me homologun shqiptar Nisahni, tha se Kosova do ta përmbyll çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. “Besojmë se kufiri nuk do të jetë pengesë për vizat dhe se po punohet për transfromimin e FSK në FAK”.
Marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Kosovës, shkëmbimet tregtare dhe ekonomike si dhe mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, ishin në fokus të konferencës së përbashkët për shtyp mes Presidentëve Bujar Nishani dhe Hashim Thaçi.
Thaçi tha se marrëdhëniet Shqipëri- Kosovë kanë kaluar në marrëdhënie të një partneriteti të fuqishëm strategjik, të cilat janë model për rajonit.
“Kam besim të plotë se Shqipëria do të jetë zëri shtesë i Kosovës. Ne jemi në rrugë të mbarë dhe do të plotësojmë njëri tjetrin në rrugën tonë euroatlantike”, deklaroi Thaçi.
Ai deklaroi se mbledhjet mes dy qeverive i kanë dhënë dimension të ri bashkëpunimit, duke shpresuar se bashkëpunimi vetëm do rritet dhe projektet që janë menduar do realizohen. Presidenti i Kosovës, shprehu bindjen se bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është model për rajonin dhe ka një rritje pozitive.
Sipas tij, brenda vitit 2015, volumi tregtar i Kosovës është rritur me 15% ndërsa shkëmbimet tregtare me Kosovën kanë arritur në 200 milionë euro.
Thaçi vlerësoi se Shqipëria mbetet destinacioni kryesor turistik për kosovarët.
“Kemi hyrë në proces konsolidimi të shtetit të Kosovës, mbetet për t’u bërë edhe më tepër por kam besim se rruga e avancimit do të vijojë”, tha kreu i shtetit të Kosovës.
Presidenti Thaçi ritheksoi se proceset integruese për Kosovën janë të pashmangshme dhe se aashkëpunimi Kosovë -Shqipëri është shumëdimensional dhe se është model për rajonin.
Sipas tij, ky bashkëpunim vetëm sa po forcohet dhe rritet çdo ditë e më shumë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaç foli edhe për çështjen e demarkacionit dhe sipas tij, kjo çështje do të përmbyllet.
“Besojmë se kufiri nuk do të jetë pengesë për vizat”, tha ai. Thaçi përmendi edhe transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura dhe se bashkëpunimin me strukturat e NATO-s.
I pari i shtetit, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi , që siç tha ai, ka një rëndësi për stabilitetin e rajonit.
Në anën tjetër, përmendi edhe angazhimin e instiutucioneve të shtetit të Kosovës në luftën kundër terrorizimit dhe ekstremizimit.
Ndërkaq, presidenti Nishani e cilësoi si përjetim me emocion të veçantë për çfarë Shqipëria dhe Kosova kanë arritur deri më tani.
Ai shprehu mirënjohje për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës dhe për avancimin e saj, e cila sipas tij po ecën me ritme shumë më të shpejta edhe se shtetet e tjera të rajonit.
“Përfshirja e ministrave të bujqësisë, infrastrukturës dhe transportit në delegacion, tregojnë interesin e madh që dy vendet tona i kushtojnë këtyre sektorëve dhe bashkëpunimeve rajonale. Vlerësoj rolin e zotit Thaçi si kyç dhe domethënës në takimet e dy qeverive, të cilat i kanë forcuar edhe më shumë marrëdhëniet. Përfshi në sektorin energjetik, krijimin e pikave doganore të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit në arsim dhe në kërkimin shkencor”, u shpreh Nishani.
Ai shprehu mbështetje për dialogun Kosovë- Serbi, duke thënë se respektimi i marrëveshjeve të arritura do ndikojë në normalizimin e marrëdhënieve si dhe në forcimin e stabilitetit. Nishani shtoi më tej se anëtarësimi i Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale ka dhënë vlerë të shtuar në rajon.
“Shqipëria do vazhdojë mbështetjen e Kosovës si në proceset integruese edhe në nismat rajonale”, tha ndër të tjera Presidenti Nishani.
Ceremonia shtetërore është zhvilluar në selinë e presidencës shqiptare ku presidenti Nishani i ka uruar mirëseardhjen mikut të lartë nga Kosova.
Sipas axhendës presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të pritet nga zyrtarët më të lartë të shtetit kryeparlamentarin Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Zoti Thaçi pritet të vizitojë edhe shkrimtarin Dritëro Agolli. Pjesë e vizitës janë edhe monumente të ndryshme në Tiranë, por edhe në vende të tjera. Vizita në Shqipëri e presidentit të Kosovës do të mbyllet në Bushat të Shkodrës, ku zoti Thaçi do t’i vizitojë futbollistët e kombëtares së Kosovës, të cilët po bëjnë përgatitjet e fundit për ndeshjen me Kroacinë.