Thaçi, nga Kosharja: Luftën e UÇK-së nuk do ta mposhtë asnjë shpifje

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor të betejës së Koshares, i cili u organizua në kuadër të manifestimit “Ditët e Shqipes”.

Presidenti Thaçi tha se para tetëmbëdhjetë vjetëve, në Koshare filloi zbatimi i fazës së parë të operacionit ushtarak “Shigjeta”, duke hapur kështu një kapitull të rëndësishëm të fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për të ardhur deri tek një operacion i mirë studiuar, presidenti Thaçi tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte kaluar nëpër sprova dhe beteja përgjatë një viti të tërë.

Mbi të gjitha, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si forcë e armatosur autentike, presidenti Thaçi tha se arriti ta ndërkombëtarizojë në nivelin më të lartë çështjen e Kosovës.

“Për herë të parë në histori, Kosova ishte pjesë e tryezës diplomatike ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë. Nga kjo konferencë u krijua baza politike për fillimin e intervenimit të Aleancës Veriatlantike të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe”, tha presidenti Thaçi.

Pas fillimit të intervenimit të NATO-s, presidenti tha se në Kosovë u krijua një situatë e re.

“Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së shpalli Mobilizimin e Përgjithshëm, si një akt që vuri në lëvizje popullatën e aftë për t’u angazhuar në radhët e UÇK-së në mbrojtje të atdheut. Fushatën e bombardimeve të NATO-s, regjimi i Beogradit e shfrytëzoi si një pretekst shtesë për të dëbuar masivisht popullatën civile shqiptare nga trojet e veta. Në këto rrethana, Qeveria e Përkohshme dhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me kuadrot e veta elite urdhëroi hartimin e operacionit “Shigjeta”, faza e parë e të cilit filloi këtu e 18 vjet më parë. Këtu në Koshare u dëshmua më së miri se drejtësia e kauzës dhe forca morale e një populli që lufton për lirinë e tij është më e madhe se çdo ushtri pushtuese”, u shpreh presidenti Thaçi.

Beteja e Koshares rriti vetëbesimin e sprovuar të UÇK-së, shtoi presidenti Thaçi, duke bërë që me forcë për herë të parë të thyhet kufiri ndarës Kosovë – Shqipëri dhe të mundet ushtria serbe në kufi.

“Beteja e Koshares ishte një triumf ushtarak i pastër dhe mesazh i qartë për popullatën e dëbuar nga Kosova, që së shpejti të zhvendosurit do të ktheheshin në vatrat e tyre. Përmes zonës së kontrolluar nga UÇK-ja do të hynin më lehtë edhe ndihmat humanitare për popullatën e zhvendosur brenda Kosovës. Thyerja e kufirit ishte mesazh se rruga e furnizimit me armatim për zonat e thella brenda Kosovës ishte i mundshme edhe në atë kohë”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti theksoi se operacioni “Shigjeta”, brenda planit të studiuar mirë kishte edhe misionin e bashkërendimit me ekspertët e NATO-s për të saktësuar vendndodhjen e forcave serbe në territorin e Kosovës.

“Operacioni ‘Shigjeta’ tregoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte pjekur për të ndërmarrë edhe operacione të luftës frontale me forcat serbe”, shtoi presidenti Thaçi.

Për luftën e zhvilluar në Koshare dhe në Pashtrik, presidenti tha se përpos që kanë madhështinë e idesë dhe projektit, kanë edhe përmasën e sakrificës.

“Sot dhe përgjithmonë do t’i përkujtojmë me respekt të thellë dhe përulje komandantët dhe ushtarët e tyre, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Xhemajl Fetahun dhe qindra dëshmorë që ranë për lirinë e Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Kreu i vendit theksoi se falë sakrificës së djemve dhe vajzave më të mira të vendit tonë, të burrave dhe grave, të martirëve dhe gjithë rezistencës qytetare, sot Kosova është shtet i lirë, sovran dhe demokratik.

“Nuk ka as shpifje, as çfarëdo qëndrimi armiqësor nga qarqe antishqiptare, që do të arrijnë ta njollosin luftën e drejtë dhe sakrificën sublime të luftëtarëve të lirisë. Institucionet e Kosovës do të jenë gardian i vlerave mbi të cilat është ngritur themeli i tyre. Kujdesi për familjet e dëshmorëve, për invalidët, për veteranët do të jetë gjithmonë institucional”, u shpreh presidenti Thaçi.

Mbi këtë bazament, presidenti tha se Kosova e ka të qartë rrugën dhe vizionin euroatlantik, si shoqëri që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.