Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka ndarë çmimin “Urdhri i lirisë”, senatorit amerikan, John McCain. Ky çmim atij i është ndarë për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe për thellimin e partneritetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në botë ka pak njerëz si ju që mëshirojnë vlerat e lirisë. E tërë jeta e juaj është një moment i gjallë në përpjekjet e juaja për liri deri në vetëmohim”, ka thënë me këtë rast, Thaçi.
“Në ditët tona më të vështira si komb, ne gjetëm frymëzim në shëmbëlltyrën tuaj. Ju u bëtë zëri ynë, kur ne nuk kishim zë”, theksoi tutje presidenti i Kosovës.
“Ju me punën dhe angazhimin për çlirimin e Kosovës, dëshmuat se liria nuk është privilegj i të fortit, por e drejtë fundamentale e të gjitha kombeve, e të gjitha vendeve”, tha Thaçi, duke i ndarë medaljen presidenciale senatorit republikan, McCain.
Në anën tjetër, MCain tha se ndihej i nderuar për këtë çmim që pranoi nga presidenti dhe populli i Kosovës.
“Ndihem krenar që ndodhem këtu. Të gjithë e dimë se ka nevojë për më shumë punë dhe përparime, por ju keni arritur mjaftë shumë”, tha McCain.
“Jam këtu të tregoj mbështetjen dhe përkushtimin e Shteteve të Bashkuara që Kosova të mbetet një vend i lirë, i fuqishëm dhe i bukur siç është edhe sot”, ka thënë ndër tjera senatori amerikan.
Senatori republikan ka nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rris ndikimin politik dhe ekonomik.
Të enjten, ai është pritur në Prishtinë nga kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe ka vizituar ushtarët amerikan të KFOR-it.
Në një fjalim para Kuvendit të Kosovës, senatori John McCain ka premtuar vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën, si edhe për rajonin në përgjithësi.