Presidenti i dorëhequr i Kosovës dhe ish-eprori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, në seancën e parë para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) me seli në Hagë, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura kundër tij për krime lufte, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në seancën e parë e cila ishte publike, Thaçi tha se akuza e ngritur ndaj tij është e paqëndrueshme.
“I dëgjova, i kam lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha”, tha Thaçi, duke shtuar se akuza dhe të gjitha pikat e saj janë “të paqëndrueshme”.
Ndërkaq, avokati kryesor i Thaçit, David Hooper, në seancë ka theksuar se procesi është realizuar pa e njoftuar në kohën e duhur mbrojtjen, por shtoi se do të bashkëpunojnë me DHSK-n njëjtë siç ka bërë edhe Thaçi.
“Gjykata po heton këto çështje më shumë se 5 vjet, kurse aktakuza është bërë para 6 muajve. Nuk ishte e mundur që të themelohet një ekip mbrojtës, nuk ishte e mundur që të silleshin këtu njerëzit që do të duhej. Është e vështirë të kuptohet pse kjo është bërë në këtë mënyrë”, tha ai.
Hooper, i cili theksoi se javët e ardhshme do të edhe lirimin me kusht të Thaçit, tha se ai do të jetë mbrojtësi kryesor dhe do t’i përcjellë të gjitha seancat e presidentit të dorëhequr.
Aktakuza ndaj presidentit të dorëhequr, Thaçi, është konfirmuar më 26 tetor, ndërsa është bërë publike më 5 nëntor, ditën kur ai hoqi dorë nga pozita e presidentit të Kosovës dhe të njëjtën ditë u transferua për në Hagë.
Njëjtë sikurse mbi ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, i cili u paraqit sot në seancën e parë, edhe mbi Thaçin dhe dy pjesëtarët tjerë të kësaj ushtrie, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, që aktualisht ndodhen në paraburgim në DHSK, qëndron akuza në të cilën thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit, të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.