Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur edhe 13 pjesëtarët e FSK-së që garuan në “Cambrian Patrol” të Britanisë së Madhe, të cilët ishin të shoqëruar edhe nga komandanti i FSK-së, Rrahman Rama.
Presidenti Thaçi ka thënë se suksesi i pjesëtarëve të FSK-së në garën “Cambrian Patrol”, ku morën medaljen e artë, është edhe sukses i FSK-së dhe me rezultate të tilla jemi më afër krijimit të ushtrisë dhe anëtarësimit në Partneritetin për Paqe dhe në NATO, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
“Ky sukses është dëshmi e forcimit të FSK-së. Me këtë sukses ju keni renditur Kosovën përkrah ushtrive më të fuqishme. Na keni bërë shumë krenarë me suksesin tuaj”, u shpreh Thaçi.
Menaxherja e skuadrës, togere Manushaqe Nura, e cila kishte koordinuar përgatitjet e grupit tha se në garën“Cambrian Patrol”, përveç marrjes së medaljes së artë, kanë arritur t’i thyejnë edhe paragjykimet se kadetët e FSK-së vetëm individualisht mund të korrin suksese, duke u dëshmuar kështu të suksesshëm edhe në grup.
Kurse, komandanti i skuadrës, nëntoger Ismail Hoxha, i cili ishte dekoruar edhe me shpatën për oficer-kadetin më të mirë ndërkombëtar nga vetë princi Charles, tha se kanë pasur vullnet të pathyeshëm për ta fituar këtë garë dhe e kanë fituar.
Suksesi i skuadrës së FSK-së në Britani të Madhe, sipas komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i ka hapur rrugë edhe projekteve të reja që kanë për qëllim trajnimin dhe përgatitjen profesionale të kadetëve të FSK-së.