Thaçi: Luftimi i korrupsionit, kusht për investime

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot se hap i rëndësishëm për sundim të ligjit në Kosovë është nxjerrja e Kodit Penal.

Thaçi në Këshillin Kombëtar kundër Korrupsionit tha se që nga dita e parë që ka marrë detyrën ka inkurajuar institucionet për të bërë një rishikim të drejtës penale.

Sipas Thaçit me këto rishikime nuk do të lejohej kandidimi në zgjedhje i zyrtarëve të akuzuar për vepra penale të korrupsionit.

Presidenti tha se institucionet e vendit kanë arritur rezultate të prekshme në sundim të ligjit, por ende ka sfida përpara.

Duke folur në Këshillin Kundër Korrupsionit Thaçi tha se qytetarët duhet të kenë besim tek institucionet e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.

“Besimi qytetar se institucionet po bëjnë punën në luftimin e krimit dhe korrupsionit do të reflektohet pozitivisht në raporte ndërkombëtare. Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit është kusht i pashmangshëm për krijimin e një klime të sigurt për investime”, tha presidenti Thaçi.

Sipas tij, statistikat dëshmojnë për rezultate të prekshme në hetime të rastit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Duke folur në këtë fushë Thaçi tha se Kosova ka bërë shume se çdo vend tjetër në rajon në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës Thaçi tha se Bashkimi Evropian ndoshta nuk është duke u mërzitur për kredibilitetin në Kosovë “por mendoj që kjo qasje injoruese nuk do të kalojë pa pasoja”.

Ndërsa, edhe kryeministri Isa Mustafa ka folur në lidhje me luftën ndaj krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

Sipas tij, për aq sa është punuar në këtë fushë po aq janë perceptimet për prezencën e korrupsionit në vend.

Mustafa po ashtu kritikoi edhe raportin e Transparency Internacional, i cili sipas tij mund t’i ketë dy fytyra për Kosovën.

“Në njërën anë thuhet se Kosova qëndron mirë në luftën kundër korrupsionit. Dhe e dyta se qytetarët e shohin korrupsionin si problemin më të madh dhe institucionet s’po bëjnë sa duhet. Ka dallim të madh mes perceptimit dhe ballafaqimit të qytetarëve me korrupsionin”, tha Mustafa.