Ballina Lajmet Kosovë Thaçi krijon dy nëngrupe punuese për reformën zgjedhore

Thaçi krijon dy nëngrupe punuese për reformën zgjedhore

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur takimin e dytë me përfaqësuesit e subjekteve politike, me të cilët ka diskutuar sërish për reformën në sistemin zgjedhor dhe reformën e nevojshme ligjore.

Ai ka njoftuar se do t’i themelojë dy nëngrupe punuese, një për amandamentime kushtetuese dhe një tjetër për reformën ligjore për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, të cilat deri në fillim të dhjetorit do t’i sjellin propozimet konkrete.

Presidenti Thaçi ka treguar se subjekteve politike do t’ua propozojë edhe një kod, me të cilin nuk do t’i lejohet asnjë kandidati, as për kryetar, as për deputet dhe as për asamblist, që të përfshihet në lista zgjedhore nëse ka aktakuzë apo nëse është nën hetime.

“Duke marrë parasysh propozimet paraprake, shumica e çështjeve që reflektojnë në reformën e sistemit zgjedhor prekin ndryshim-plotësimin edhe të Kushtetutës”, ka thënë presidenti Thaçi, duke iu referuar mënyrës së zgjedhjes së presidentit, numrit të deputetëve, menaxhimit të zgjedhjeve dhe zonave zgjedhore.

Për të bërë ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, përkatësisht për të përcaktuar zgjedhjen e drejtpërdrejt të presidentit nga populli, ai ka thënë se duhet bërë ndryshimi i Nenit 86 të Kushtetutës. Mirëpo, sipas presidentit Thaçi, ndryshim-plotësimi i këtij neni është i ndërlidhur më pas edhe me ndryshimet dhe plotësimet e disa neneve tjera të Kushtetutës.

Nëse vendoset të bëhet ndryshimi i numrit të deputetëve, atëherë ai ka thënë se kjo reflekton edhe në nenin 64 të Kushtetutës, e cila përfshin strukturën e Kuvendit.

Ndërsa, nëse reforma zgjedhore zgjerohet edhe në menaxhimin e zgjedhjeve, presidenti Thaçi ka thënë se duhet të ndryshohet edhe neni 139 i Kushtetutës dhe të përcaktohet se si do të bëhet mënyra e zgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kurse çështja e vendimit për një apo më shumë zona zgjedhore nuk e prek Kushtetutën, sepse vetë neni 66 (5) përcakton që kushtet, zonat dhe procedurat zgjedhore, rregullohen me ligj.

Për thjeshtimin e procesit zgjedhor, presidenti Thaçi ka thënë se si zgjidhje mund të jetë edhe hartimi i një ligji të ri për zgjedhjet.

Të pranishëm në takimin e sotëm ishin përfaqësuesit e 17 subjekteve politike, ata të OSBE-së dhe Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e disa organizatave të shoqërisë civile.

Exit mobile version