Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një videomesazhi i është drejtuar qytetarëve të vendit për zhvillimet e fundit në vend.
Thaçi ka thënë se në rrafshin politik dhe institucional, Kosova është në udhëkryq historik.
“Të marrë vendime jo të lehta, por të drejta, dhe të lëvizë shpejt drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euroatlantike apo të vazhdoj me këtë pasivitet dhe vendnumërim, duke mbetur peng i të kaluarës së dhimbshme e duke penguar zhvillimin e të ardhmes së ndritur”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se nga e kaluara duhet të nxjerrim mësime dhe të kuptojmë se cilët janë miqtë tanë të vërtetë.
“Kemi pasur besim në këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prandaj firmosëm Rambujenë. Ishte vendim i vështirë, por historia e dëshmoi se ishte vendim i duhur. Kemi dëgjuar këshillën e aleatëve tanë amerikanë dhe evropianë dhe kemi pranuar “Pakon e Ahtisaarit” dhe bëmë shumë mirë. Ashtu siguruam pavarësinë e Kosovës. Historia na ka dëshmuar se këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës na kanë siguruar lirinë dhe pavarësinë. Prandaj, edhe sot askush nuk guxon të vë në dyshim vullnetin e mirë, dashamirësinë dhe suksesin e këshillave të marra nga aleati ynë strategjik”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti i vendit ka thënë se qëllimi dhe vizioni ynë është që të jemi sa më shpejtë anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian, e një ditë jo të largët edhe në Kombet e Bashkuara.