Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin Mustafa, ministren Tahiri dhe shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, sot kanë vendosur gurthemelin e pikës së re të kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Presidenti Thaçi ka thënë se ky pikëkalim është vetëm një nga gjashtë pikëkalimet kufitare të përhershme të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, të cilat do të ndërtohen në kuadër të projektit të gjerë në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Në këtë mënyrë, ne jo vetëm që po i përmbushim standardet evropiane, por po ua zvogëlojmë hapësirën edhe dukurive të ekonomisë joformale”, u shpreh presidenti Thaçi.
Gjatë gjithë këtyre viteve, presidentit Thaçi tha se Kosova ka qenë gjithmonë e përkushtuar për dialog, për fqinjësi të mirë, për bashkëpunim në shërbim të qytetarëve, në shërbim të zhvillimit dhe paqes në rajon.
“Institucionet e Kosovës kanë qenë dhe mbesin të përkushtuara për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Jo vetëm brenda Kosovës, por edhe me shtetet fqinje, si në këtë rast me Serbinë”, ka thënë ai.
Vënia e këtij gurthemeli në Merdarë, për ndërtimin e pikës së kalimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi theksoi se është edhe një dëshmi tjetër e rrugës së duhur që kemi ndjekur përmes dialogimit.
“Ndoqëm rrugën e bashkëpunimit dhe dialogimit për të mirën e qytetarëve, rrugën e ndërtimit të urave dhe vendkalimeve të reja”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se Kosova gjithmonë e ka respektuar lirinë e lëvizjes së njerëzve, automjeteve dhe mallrave.
Për këtë qëllim, presidenti Thaçi theksoi se janë arritur marrëveshje që mundësojnë edhe kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftime, që të gjithë qytetarët e rajonit të lëvizin pa pengesa.
“Këto kanale të reja të kalimit të qytetarëve tanë, shqiptarë e serbë, por edhe të bashkatdhetarëve tanë, po krijohen falë marrëveshjeve në kuadër të dialogut në Bruksel”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit e falënderoj Zyrën e Bashkimin Evropian në Kosovë për mbështetjen financiare dhe UNOPS-in, si partner implementues të BE-së, si dhe Ministren e Dialogut, Edita Tahiri, për punën e bërë.
Me dialog dhe bashkëpunim, presidenti Thaçi tha se çdoherë e më shumë po e forcojmë identitetin tonë, sovranitetin, por edhe subjektivitetin shtetëror.
Ai theksoi se dialogu dhe bashkëpunimi janë rrugë e vetme përpara për tërë Ballkanin Perëndimor.