Presidenti Hashim Thaçi i ka nisur sot një letër kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit nga e cila ka kërkuar që të bëhen përgatitjet për seancën e sotme, të cilën i pari i shtetit e ka thirrur për në ora 16:00.
Pas shkresës së djeshme që Sekretari i Presidencës së Kosovës i ka dërguar Sekretarit të Kuvendit të Kosovës, ku Kuvendit i është kërkuar organizimi i një seancë parlamentare që presidenti Thaçi t’u drejtohet deputetëve për vizitën dhe takimet e tij të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot edhe vetë presidenti Thaçi i është drejtuar me një shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.
Thaçi e ka njoftuar Kryetaren e Kuvendit se në pajtim me nenin 84 të Kushtetutës kërkon t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës.
Ai ka kërkuar nga Osmani që të bëhen përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e kësaj seance.
Deri më tani kryesia e Kuvendit nuk ka thirrur ende mbledhje për seancën e sotme.