Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se gazetarët në Kosovë pavarësisht sfidave që kanë, ata edhe janë të mbrojtur për punën që e bëjnë, njofton Klan Kosova.
“Sot gazetarët janë të mbrojtur në lidhje me punën e tyre”.
“Jo që nuk mund të dënohen për punën e gazetarit, por madje, në Kosovë, gazetarët edhe në gjyq nuk janë të obliguar t’i zbulojnë burimet e tyre. Kjo është bërë me qëllim që të mbrohet sa më shumë kredibiliteti, integriteti dhe profesionalizmi i gazetarisë si profesion”.
Këto komente Thaçi i ka bërë në konferencën me temën siguria e gazetarëve, me pjesëmarrës nga Europa Juglindore të organizuar nga OSBE.
“Ka qenë vetë misioni i OSBE-së që ka insistuar për një gazetari profesionale në Kosovë”.
Thaçi në këtë konferencë ka folur edhe për presionet dhe sfidat që kanë gazetarët, njofton Klan Kosova.
“Gazetarët nuk e kanë punën e lehtë, ata përballen me presione, shkrimet për korrupsionin, esktremizimin, LGBT, i vënë gazetarët nën kërcënim të drejtpërdrejt”.
“Policia angazhohet për të ju dalë në mbrojte gazetareve kur kanë nevojë”.
Presidenti tutje ka thënë se “së paku në Kosovë sot nuk është më sfide liria e të shprehurit. Sfidë është abuzimi që i bëhet kësaj lirie”.
Thaçi ka bërë me dije se me rastet e gazetarëve do të merret edhe Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, konsultimet për themelimin e të cilit kanë nisur dje.
“Ka ende gazetar që janë të zhdukur nga lufta”.
“Në këtë drejtim do të punohet edhe për zbardhjen e rasteve të gazetarëve që kanë punuar në atë kohë, pa dallim etnie”.