Thaçi: FSK do të jetë një ushtri moderne

Duke iu drejtuar ushtarëve të FSK-së, presidenti i vendit, Hashim Thaçi bëri të ditur se shumë shpejt do të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore që transformimi i shumëpritur i themelimit të Ushtrisë së Kosovës të bëhet realitet edhe nëpërmjet ndryshimit të ligjit për FSK-në. Thaçi ka thënë se FSK do të jetë një ushtri moderne.
Me qëllim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, si dhe ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, presidenti tha se Republika e Kosovës duhet të avancojë rolin dhe detyrat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.“Ashtu siç presin të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet Ligjit të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë për mision që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, qytetarët dhe komunitetet, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës, si dhe të kontribuojë në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global”, theksoi Thaçi transmeton Lajmi.net
I NGJAJSHËM
BERISHA: PËR TRANSFORMIMIN E FSK-SË DUHET GUXIM POLITIK
Ky ndryshim në misionin dhe detyrat e reja që do t’i marrë FSK-ja në përputhje me ligin e ri, sipas presidentit Thaçi, e bëjnë FSK-në një ushtri moderne, profesionale, me karakter mbrojtës, e cila do të dizajnohet për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes në rajon dhe në botë, sa herë që Kosovës i kërkohet të jap kontributin e saj në këtë drejtim.“Ky transformim i natyrshëm ligjor është krejtësisht kushtetues dhe i domosdoshëm, në mënyrë që FSK-ja të fillojë edhe zyrtarisht procesin e anëtarësimit në NATO. Prandaj, ftoj shtetet anëtare të NATO-s që të vazhdojnë të ndihmojnë FSK-në ashtu siç kanë bërë deri më tani”, shtoi Thaçi.Presidenti theksoi se misioni i NATO-s, respektivisht i KFOR-it në Kosovë do të vazhdojë të funksionojë si zakonisht dhe ky transformim nuk do të ketë implikim në misionin dhe detyrat e KFOR-it në Kosovë.Në fund, presidenti Thaçi i ftoj qytetarët e Kosovës që të kenë besim në shtetin e tyre, si dhe tërë spektrin politik që të bashkohet në çështjet e interesit shtetëror dhe ta dëshmojmë këtë me veprime konkrete.