Thaçi: Enver Zymberi dha jetën në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe pranë lapidarit të heroit Enver Zymberi në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Thaçi nga aty ka deklaruar se Zymberi dha jetën për integritetin territorial të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Sot bëjmë nderimin më të lartë shtetërorë për heroin e kombit Enver Zymberi, i cili dha jetën në mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, 25 korriku i vitit 2011 shënon ditën e bashkimit të Kosovës, ku njësitë tona speciale bënë veprimin më të duhur të mundshëm, veprimin kushtetues dhe ligjorë në mbrojtje të integritetit territorial të vendit për të vu në kontroll gjithë territorin e shtetit tonë, andaj sot të gjithë jemi të bashkuar për të kujtuar këtë veprim kushtetues e ligjorë”,ka thënë Thaçi.

Pos Thaçit, homazhe ka bërë edhe kryeministri i vendit Avdullah Hoti, i cili ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Policia e Kosovës për nder të kujtimit të veprës heroike të zyrtarit policor Enver Zymberi, ka organizuar ceremoninë e nderimit dhe homazheve pranë lapidarit të heroit Zymberi në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.