Kuvendi i Kosovës bashkë me udhëheqësit më të lartë të shtetit duhet t’u japin përgjigje të gjitha çështjeve me prioritet, përfshi edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe liberalizimin e vizave, ka deklaruar presidenti, Hashim Thaçi.
Këto komente, Presidenti i Kosovës i ka bërë pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin, Ramush Haradinaj, ndërkohë që paraprakisht priti në një takim edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin.Prioritetet e Kosovës janë të përbashkëta, si të presidentit, kryeministrit apo Kuvendit dhe gjithë spektrit politik, ka nënvizuar Thaçi.
“Të gjithë jemi të përkushtuar të ndodhë liberalizimi i vizave. Ne jemi të përkushtuar ta ndihmojmë njëri tjetrin dhe të gjithë jemi të interesuar që procesi të përmbyllet me zbatimin e të gjitha kritereve të nevojshme”, është shprehur ai.Ndërkaq në lidhje me vendimin e kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare si sinjali i parë i Qeverisë së re për anulimin e marrëveshjes së arritur me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, Thaçi tha se proceset nuk lidhen me emra apo persona të caktuar.“Nuk mendoj se asnjë projekt apo prioritet duhet të lidhet me këtë apo atë person. Me rëndësi është që i gjithë procesi të ecë përpara, kurse Kuvendi t’u jap përgjigjen e duhur në kohën e duhur. Me kryeministrin Haradinaj do të koordinohemi si të lëvizim më shpejt në çështje me prioritet”, ka theksuar Thaçi.“Kosova ka raporte strategjike me Malin e Zi, të fqinjësisë së mirë dhe integrimit euro-atlantik. Kjo është e qartë dhe e dinë të gjithë, edhe Haradinaj edhe Veseli”, është shprehur Thaçi.Po ashtu, presidenti i Kosovës ka përmendur edhe njëherë çështjen e formimit të një ekipi uniteti për dialogun me Serbinë, duke i ftuar aty edhe opozitën.Në lidhje me çështjen e dialogut, kryeministri Ramush Haradinaj tha se pavarësisht të kaluarës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bisedimet nuk kanë alternativë.“Dialogu është i paalternativë dhe se ne jemi fqinjë edhe pse e kaluara është tragjike. Ajo që e kam menduar për dialogun është edhe një diskutim i brendshëm në Kosovë në mënyrë që kur të vjen epilogu i dialogut dhe referendumi të jetë rezultat i të gjithëve”, ka thënë Haradinaj.Pas takimeve me Veselin e Haradinajn, presidenti Thaçi ka vlerësuar se formimi i institucioneve kryesore të Kosovës, pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, është një e arritur demokratike.Presidenti Thaçi është zotuar se do të angazhohet që të garantojë bashkëpunim dhe koordinim të agjendave me rëndësi nacionale midis Presidencës, Kuvendit, Qeverisë dhe partive opozitare.