Thaçi dhe Haradinaj bëjnë homazhe te Obelisku i të Pagjeturve

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kane bërë homazhe te Obelisku i të Pagjeturve me rastin e 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve të Kosovës.

Kreu i vendit dhe ai i Qeverisë nuk kanë pranuar që të deklarohen për medie. Të dy do të marrin pjesë në shënimin 20-vjetorit të masakrës së Mejes.

Bajram Qerkini përfaqësues i familjarëve të të pagjeturve, tha se për zbardhjen e fatit të të zhdukurve në luftën e fundit nuk është bërë aq sa duhet nga institucionet.

Por ai ka thënë se familjarët nuk do të ndalen deri sa të gjendet edhe personi i fundit.

“Nuk është bërë mjaftueshëm nga shteti, dhe se nuk do të ndalen deri në zbulim e personit të fundit”.

Për të nderuar sakrificën e atyre që u vranë, prej orës 11:00 bëhen homazhe në varrezat e martirëve në Kompleksin Memorial në Meje, ndërsa prej orës 12:00 do të mbahet akademi qendrore po në këtë kompleks.

Më 27 prill 1999 forcat serbe ekzekutuan 376 meshkuj. Pas luftës, një pjesë e tyre është gjetur në varreza masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.

Mirëpo edhe përkundër kërkesave nga Qeveria e Kosovës të nxitura nga shoqata të ndryshme humanitare dhe të afërmeve të të ndjerëve organet serbe kanë zvarritur dorëzimin e tyre.