Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar gjeneralin Sir Michael David Jackson me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.
Sipas një komunikate për media, Gjeneralit Jackson kjo medalje i është ndarë për kontributin e tij në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë gjatë mandatit të tij si komandant i KFOR-it në Kosovë.
“Roli i gjeneralit Sir Jackson ka qenë i pazëvendësueshëm, i jashtëzakonshëm, historik për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon”, ka thënë Thaçi.
“Kemi punuar në kohë sfidash bashkërisht, në procesin e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre, në tranzicionin demokratik që e kemi kaluar, në përkushtimet e përbashkëta në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
Nga ana tjetër, gjenerali Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë është shprehur mirënjohës për dekoratën dhe mikpritjen që i është bërë në Kosovë.
“U ktheva në Kosovë shtatëmbëdhjetë vite që kur kisha ardhur këtu për herë të parë, kur, më duhet të them, kisha ardhur pa pasaportë. Është e mrekullueshme për të parë se sa shumë progres keni arritur që nga ajo kohë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, gjenerali ka kujtuar edhe ditët e rënda të pasluftës së vitit 1999.
“Edhe pse ato ditë të rënda shënuan fillimin e këtij progresi, atëbotë kishte një atmosferë dhe gjendje shumë të rëndë, kurse sot gjërat kanë ndryshuar shumë”, ka shtuar ai.
Thaçi ka thënë se populli i Kosovës dhe mbarë bota e dinë se gjenerali Jackson është një nga njerëzit që ka jetësuar Marrëveshjen e Kumanovës për futjen e trupave të NATO-s në Kosovë.