Janë helmuar 25 të punësuar në fabrikën “Lear” në zonën zhvillimore industriale në Tetovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë për AA konfirmuan rastin me ç’rast thanë se sipas informacioneve të para, të punësuarit nga fabrika “Lear” janë paraqitur në Ndihmën e shpejtë, duke thënë se kanë dhimbje në stomak. Gjithashtu, prej aty informuan se pasi u është dhënë ndihma e parë, të punësuarit janë lëshuar në kurim shtëpiak.
SPB Tetovë informoi se ekipet kompetente janë në terren, hetimi është në rrjedhë dhe se për rastin është njoftuar edhe Prokurori publik.
Po ashtu edhe nga Ndihma e shpejtë konfirmuan rastin e sotëm, duke thënë se kanë intervenuar tek disa pacientë në fabrikën “Lear”.
Të punësuarit kanë marrë trajtim të duhur dhe më pas janë dërguar në repartin infektiv. Më pas ka ardhur një grup prej disa personash në Ndihmën e shpejtë në Tetovë të cilët kanë patur simptoma të helmimit, por edhe ata janë lëshuar për kurim shtëpiak pas ndihmës së ofruar.
Lidhur me rastin pritet që hetimet ti kryejë Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë.
Kujtojmë se edhe në muajin mars në fabrikën “Leart” nga ushqimi u helmuan rreth 220 punonjës.