Testamenti prej 10 pikësh i Shejh Jusuf El-Kardavit

Shejh Jusuf Kardavi (r.a)

Testamenti është publikuar në faqen zyrtare të Shejh Jusuf el-Karadavit

“Po ua lë porosi – testament vëllezërve të mi studiues dhe thirrës në mënyrë që ata ta përmbushin detyrën ndaj Zotit të tyre, ndaj fesë së tyre dhe ndaj popullit të tyre:

1. Që nënshtrimin ta shprehni vetëm Allahut të Plotfuqishëm, dhe jo ndaj nacionalizmit apo patriotizmit, apo regjimeve, apo partive, apo njerëzve, përveç në masën që ata janë të lidhur me Islamin.

2. Që në çdo situatë të mbështeteni vetëm në Librin e Allahut dhe në Sunetin autentik, duke ndjekur udhëzimet e paraardhësve të saktë të Umetit në kuptimin e tyre të frymës së Islamit, duke ndjekur metodat e tij, duke punuar për çlirimin e Islamit nga risitë që i janë veshur gjatë shekujve, dhe nga shtrembërimet, imitimet, gënjeshtrat dhe interpretimet e injorantëve.

3. Që ta thoni fjalën e vërtetë përballë tiranëve, të urdhëroni për të mirë e të ndaloni nga e keqja, as të mos kini frikë nga askush, Allahu i Lartësuar thotë: “.. e të cilët kumtuan shpalljet e Allahut dhe i frikësoheshin Atij e askujt tjetër përveç Tij. Allahu mjafton si llogaritës.”(el-Ahzâb, 39).

4. Që ta keni parasysh urdhrin e Pejgamberit (savs), për Muadh bin Xhebelin dhe Ebu Musa el-Esh’ariun kur i dërgoi në Jemen dhe u tha: “Lehtësoni dhe mos e vështirësoni!” Sa shumë kemi nevojë gjithmonë për dijetarë dhe rekomandues të kësaj këshille të Pejgamberit! Dhe sa shumë kemi nevojë për të sidomos në kohën tonë! Kuptimi i kësaj është se motoja e tyre duhet të jetë mirësia jo dhuna, butësia jo ashpërsia, sepse Allahu e do të mirën në çdo gjë. Allahu i Plotfuqishëm për krijesën më të mirë ka thënë: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje…” (Âli ’Imrân, 159). Lehtësimi për të cilin po mendoj është në gjërat dytësore, jo në parime dhe qëllime, dhe mbi këtë bazë duhet t’i trajtojmë njerëzit. Ne duhet ta konsiderojmë si mik çdo musliman që i kryen detyrat obligative dhe iu shmanget mëkateve të mëdha në këtë kohë, ta bëjmë atë të ndihet si njëri prej nesh, edhe nëse ka disa dyshime dhe mëkate të vogla, ne ta thërrasim me urtësi dhe këshilla të mira. Është e gabuar dhe e rrezikshme të jesh armiqësor ndaj këtij njeriu dhe ta konsiderosh kundërshtar të fesë.

5. Që që ta njihni kohën dhe armikun tuaj, që të mos e pushtoni veten, studentët e tuaj dhe njerëzit.

6. Që të mirrni nga rregulli i artë el-Menar si slogan dhe kushtetutë për t’u përdorur reciprokisht: “Ne bashkëpunojmë për atë që pajtohemi, kurse i justifikojmë të tjerët për atë që nuk pajtohemi”.

7. Që të armatoseni me diturinë e kohës suaj, sepse Imam el-Gazaliu nuk ishte në gjendje ta mposhtte filozofinë, kështu që ai e shkroi veprën e tij Ihjau ulumid-din dhe e tregoi moskoherencën e filozofëve. Gjithashtu, shejhul-Islami Ibn Tejmije iu përgjigj të gjitha grupeve të devijuara dhe i shpjegoi të metat e tyre, kurse më parë i studioi me kujdes dhe me vetëdije besimet dhe mësimet e tyre nga librat e tyre, madje edhe nga Judaizmi dhe Krishterimi, siç dëshmohet nga trashëgimia e tij e pasur. Është e nevojshme që dijetari në kohën tonë t’i studiojë sa më shumë shkencat moderne, si psikologjinë, sociologjinë, ekonomin, politikën, etikën, filozofinë, doktrinat e saj dhe historinë.

8. Mirëpo, e gjithë kjo mund të arrihet vetëm duke u çliruar nga ndjenja se njerëzit janë vetëm zyrtarë në institucione, shkolla dhe xhami, dhe duke ndier dhe konsideruar se ata janë pronarë të thirrjes dhe njerëz të ideve. Ka dallim ndërmjet nëpunësit dhe predikuesit të Islamit, sepse të parët jetojnë nga Islami, kurse të dytët jetojnë për Islamin dhe vdesin për fenë.

9. Që të lidheni dhe të komunikoni me njëri-tjetrin në nivel të botës islame. Dijetarët muslimanë janë një forcë e madhe që ka ndjekësit dhe ndikimin e saj, nëse ata janë të bashkuar brenda çdo vendi, dhe pastaj përpiqen të koordinohen dhe bashkëpunojnë në nivelin e përgjithshëm islam. Armiqtë e Islamit i dinë dallimet e vogla që i përçajnë dijetarët muslimanë, kështu që ata i forcojnë dhe madhërojnë ato dhe punojnë për t’i mbajtur të gjalla dhe të dukshme dallimet dhe i përdorin kur është e nevojshme për të goditur njëri-tjetrin, duke mashtruar një grup prej tyre kinse kundërshtarët e tij janë me ta. Na takon neve muslimanëve që të jemi mendjemprehtë dhe të vetëdijshëm dhe t’i kthejmë komplotet e tyre kundër tyre.

10. Që të qëndroni pranë çdo thirrjeje islame me themele të shëndosha, duke punuar për kthimin e Islamit.

Shejh Jusuf el-Karadavi

Përkthim nga boshnjakishtja:
Miftar Ajdini

/islampress.ch