Në mesazhin e tij pas faljes së Bajramit të Madh, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, tha se kjo festë sjellë gëzim e lumturi në shpirtin dhe zemrën e besimtarit pas një muaj agjërimi në Ramazan.
Ai theksoi se për një muaj rresht, besimtarët me “bindje e përkushtim kanë zbatuar urdhërin e krijuesit të gjithësisë”, përcjell teve1.info
“Festa e Fitër Bajramit bart në vete gëzimin, harenë, lumturinë dhe çiltërsinë në shpirtin dhe zemrën e besimtarit. Të gjithë besimtarët gjithandej globit me plot arsye sot festojnë, urojnë e përgëzojnë ngase për një muaj rresht me bindje e përkushtim kanë zbatuar urdhrin e krijuesit të gjithësisë, duke agjëruar në muajin Ramazan, muajin Ramazan të cilin sapo e lamë pas me mirësi e begati të tij si asnjë muaj tjetër”, deklaroi Tërnava.
Teksa tregoi mësimet e porositë e gjatë Ramazanit, ai bëri të ditur se në krye të këtyre është kujdesi ndaj familjes.
Tërnava shtoi se është obligim i të gjithëve angazhimi për shtetin e Kosovës në mënyrë që vendi të bëhet më i mirë.
Gjatë fjalës së tij, ai po ashtu potencoi se braktisja e vendit nga të rinjtë nuk është zgjidhje.
“Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë kohë nuk ka për qëllim kryesor e mision vetëm anën materiale”, tha Tërnava.