Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka qëndruar sot në Mitrovicë me ç’rast ka vizituar vendin tek Ura e Ibrit ku janë duke vazhduar punimet në lidhje me revitalizimin e kësaj ure.
Tërnava së bashku me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirin, kanë vizituar vendin ku dikur ishte xhamia e Ibrit, e cila ishte djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Tërnava tha se kanë qenë të shqetësuar nga deklaratat e shumta që kanë lexuar në lidhje me mosndërtimin e xhamisë tek ura e Ibrit.
“Sigurisht edhe ne si Bashkësi Islame kemi qenë të shqetësuar me deklaratat të cilat kemi pasur rastin t’i lexojmë, prandaj kemi ardhur sot në Mitrovicë që për së afërmi dhe praktikisht të shohim dhe të bindemi me atë se parcela vakufnore ku ka qenë e ndërtuar xhamia nuk përfshihet në planet siç është shkruar se aty do të jetë një stadium tenisi apo diçka tjetër”, tha ai.
Sipas tij, BIK-u nuk do të heq dorë asnjëherë me asnjë çmim nga parcela dhe nga ndërtimi i xhamisë.
“Kjo xhami duhet të ndërtohet, pavarësisht dëshiron ose nuk dëshiron dikush”, ka thënë ai.
Kujtojmë se ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i BIK-ut, Resul Rexhepi, kishte deklaruar se në atë vend ka qenë xhamia dhe do të bëhet xhamia.