Nga dje, sot vijon gërmimi për gjetjen e të mbijetuarve. Disa nxirren të gjallë, disa të pajetë. Nuk është e lehtë 24 orë pas tërmetit të fuqishëm të gjesh ende jetë nën gërmadha. Nuk është e lehtë të gërmosh kur toka dridhet ende nga lëkundje tërmeti që nuk kanë të mbaruar. Kërkimet vijuan dhe gjatë natës me pishtarë në duar. Lotë, britma gëzimi sapo dikush nxirret i gjallë nga rrënojat. Familjarë rrethojnë ndërtesat e shembura në pritje të një lajmi të mirë për të afërmin e zhdukur. Kjo është drama sot në zonat e prekura nga tërmeti në Italinë Qendrore.
Autoritetet italiane thanë se ka arritur në 250 numri i personave që humbën jetën nga pasojat e tërmetit të fuqishëm që goditi në orët e hershme të së mërkurës, Italinë qendrore. 365 persona janë plagosur ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e shumë të tjerëve që mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Qendra amerikane e kërkimeve gjeologjike tha se tërmeti me një forcë goditëse prej 6.2 ballësh e kishte epiqendrën rreth 10 kilometra në juglindje të qytezës së Norcias, në zonën e Umbrias.