Tërmet prej 4,7 ballësh godet Shqipërinë

TIRANË (AA) – Një tërmet ka goditur sot disa qytete të Shqipërisë, përfshirë dhe kryeqytetin Tiranën, duke shkaktuar panik te qytetarët, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Shqipërisë (IGJEUM), tërmeti është regjistruar me epiqendër në Rrogozhinë, 26 kilometra në jug të Tiranës, me thellësi 36 kilometra dhe magnitudë 4,7 sipas shkallës së Rihterit.

Sipas IGJEUM-së, pas tërmetit gjatë ditës së sotme janë regjistruar përsëri lëkundje të tjera.

Ndërkohë, autoritetet në vend nuk kanë raportuar për persona të lënduar nga tërmeti apo për dëme materiale.

Kujtojmë se në fillim të korrikut Tirana dhe disa qytete të tjera të vendit u goditën nga një tërmet i fuqishëm.