Tërmet në Indonezi, 97 të vdekur

Pasi ekipet e shpëtimit nën rrënoja kanë nxjerrë edhe dhjetë kufoma, numri i të vdekurve gjatë tërmetit i cili të mërkurën goditi Indonezinë është rritur në 97, njoftuan zyrtarët, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra ndërtesa janë shembur si pasojë e tërmetit me fuqi prej 6.5 ballë sipas Rihterit që goditi pjesën veriore të ishullit Sumatra, në thellësi prej rreth 10 kilometrave.

Komandanti i ushtrisë në provincën Aceh, Tatang Salaiman theksoi se katër persona deri tani janë shpëtuar nga rrënojat. Siç tha ai, besohet se nën rrënoja gjenden edhe katër deri në pesë persona, por nuk dihet nëse janë të gjallë apo jo. “Shpresojmë se do të mund të përfundojmë evakuimin nga rrënojat para perëndimit të diellit”, tha Salamain.

Nga Agjencia Kombëtare për Menaxhim me Katastrofa më herët u bë e ditur se situata më kritike është në provincën Aceh ku janë në spital më shumë se 500 persona.

Sipas të dhënave të mediave indoneziane, bëhet fjalë për rajon kryesisht të banuar me popullatë muslimane. Videot dhe fotografitë e para nga vendi i fatkeqësisë tregojnë se dridhja ka shembur për tokë shumë shtëpi, ndërtesa, objekte afariste dhe xhami. Autoritetet vendase ende nuk kanë të dhëna të sakta se sa njerëz kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit janë në terren, ndërsa dyshohet se numri i viktimave po rritet. Nga ana tjetër, konfirmohet se tërmeti nuk ka shkaktuar cunami.