Të paktën 35 persona janë hospitalizuar pas një tërmeti me magnitudë prej 5,1 ballësh të Rihterit, i cili këtë mëngjes goditi qarkun Samsat në provincën juglindore Adıyaman të Turqisë, konfirmoi ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Ahmet Demircan, raporton Anadolu Agency (AA).
“Pas tërmetit, 35 të lënduar u shtruan në spital. Asnjëri nuk është në rrezik jete”, tha ministri Demiracan.
Zyra e Emergjencave pranë qeverisë turke (AFAD) më herët deklaroi se tërmeti është regjistruar në ora 03:34 sipas kohës lokale në qarkun Samsat dhe epiqendra e tërmetit u regjistrua në një thellësi prej shtatë kilometrave nën sipërfaqen e tokës.
Ndërkohë, guvernatori Nurullah Naci Kalkancı konfirmoi se gjatë tërmetit janë dëmtuar një numër i ndërtesave të banimit dhe se departamentet relevante kanë filluar me punë për rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara.
Termetin e mëngjesit të sotëm e kanë ndjerë edhe qytetarët e provincave fqinje Şanlıurfa, Gaziantep dhe Diyarbakır.
“Disa objekte u dëmtuan. Ekipet e shpëtimit janë në terren dhe në orët në vijim do të kemi një pasqyrë më të saktë të pasojave të tërmetit”, tha Sedat Sezik, zyrtar lokal në Samsat.
Pas tërmetit të mëngjesit të sotëm janë regjistruar mbi 40 dridhje të lehta në këtë rajon të Turqisë, me magnitudë nga 1 deri në 3,6 shkallë të Rihterit.