Ballina Sport Tërhiqet shorti, rritet optimizmi për medalje te ekipi i Kosovës në xhudo

Tërhiqet shorti, rritet optimizmi për medalje te ekipi i Kosovës në xhudo

Me shumë interesim është pritur tërheqja e shortit për garën e xhudos në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Garat e xhudos nisin të shtunën, ndërsa synimet më të mëdha të Kosovës janë në këtë sport. Dhe shorti ka bërë që optimizmi për të fituar medaljet e radhës në ngjarjen më të madhe sportive të rritet.

Kampiona olimpike në fuqi, Distria Krasniqi, del e para në tatami prej ekipit të Kosovës. Ajo garon të dielën në kategorinë deri në 52 kilogramë. 28-vjeçarja është bartësja e dytë, pas Diyora Keldiyorovas.

Si bartëse e dytë, Distria është e lirë në xhiron e parë. Në të dytën e pret fituesen e duelit mes Maryam Maharani të Indonezisë dhe Jacira Ferreira të Mozambikut. Nëse është në një ditë të mirë dhe shfaq potencialin që ka, Distria nuk pritet të ketë telashe për të arritur në gjysmëfinale, e madje edhe në finale. Në pjesën tjetër të shortit janë rivalet më të mëdha të saj, japonezja Uta Abe, Keldiyorova dhe francezja Amandine Buchard.

Pas Distrisë, garojnë Nora e Akil Gjakova, të hënën.

Nora është kampione në fuqi olimpike në kategorinë deri në 57 kilogramë. Për shkak të një lëndimi që e mbajti jashtë garave për një kohë ka rënë në pozitën e shtatë të bartëseve. Por natyrisht është pretendente e madhe për vend në podium olimpik, për herë të dytë rresht.

Nora në xhiron e parë përballet me mongolen Enkhriilen Lkhagvatogoo.

Akil Gjakova nuk është bartës në kategorinë deri në 73 kilogramë. Por po ashtu ka short të pranueshëm. Kategoria 73 kg njihet për konkurrencën shumë të madhe, ndërsa Akili fillimisht do të përballet me brazilianin Daniel Cargnin.

Të martën garon Laura Fazliu. Ajo është bartësja e tretë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Më lart se Laura në renditje janë vetëm holandezja Joanne Van Lieshout dhe kanadezja Catherine Beuchemin-Pinard.

Në xhiron e parë Laura është e lirë, ndërsa në të dytën e pret fituesen e luftës mes kinezes Jing Tang dhe filipinases Kiyomi Watanabe. Nëse çdo gjë shkon si pritet, Laura në çerekfinale përballet me legjendën franceze Clarisse Agbegnenou. Me të është përballur disa herë dhe ka kuptuar që nuk është e pakalueshme.

Të enjten garon Loriana Kuka në kategorinë deri në 78 kilogramë. Përballë fillimisht do ta ketë sllovenen Metka Lobnik. Edhe Loriana vlerësohet me potencial për të arritur te gara për medalje.

E kaluara në Lojëra Olimpike bën që prej Kosovës të priten medalje në xhudo sërish. Në Rio 2016, e artë ishte Majlinda Kelmendi. Në “Tokio 2020”, të arta ishin Distria e Nora.

Në turneun e xhudos paraqiten 378 garues nga 122 vende. Përjashto një numër fare të vogël që janë me ftesë, gara përfshin më të mirët e botës. Synimi i të gjithë xhudistëve elitarë është medalja olimpike. Edhe i atyre të Kosovës.

Exit mobile version