Tërheqja e ushtrisë izraelite nga qyteti Khan Younis në pjesën jugore të Rripit të Gazës nxori në pah shkatërrimet masive që iu bënë qytetit, ku nuk mund të njihen lagjet dhe rrugët e mëparshme, raporton Anadolu.
Pas largimit të ushtrisë, palestinezët e zhvendosur filluan të kthehen në zonat ku ndodheshin shtëpitë e tyre, por ata mezi i njohën lagjet ku banonin.
Bombardimet izraelite që zgjatën me javë i kishin kthyer ndërtesat e qytetit në rrënoja dhe hi, ndërsa rrugët ishin në rrëmujë shkaku i sulmeve ajrore izraelite dhe dëmtimeve të shkaktuara nga buldozerët.
31-vjeçari Muhammad Abu Diyab nga Khan Younis tha se u kthye në shtëpinë e tij pasi ushtria izraelite u tërhoq dhe e gjeti atë të shkatërruar plotësisht.
“Jo vetëm shtëpia e familjes sime, por gjithçka në qytet është e shkatërruar. Rrugët janë të pakalueshme për shkak të shkatërrimit të lënë pas nga Izraeli”, tha Diyab.
54-vjeçari Recep Abu Aklin, i cili duhej të migronte në qytetin më jugor të Gazës, Rafah, tha se erdhi në Khan Younis pas tërheqjes së ushtrisë dhe ishte i tronditur nga shkatërrimi që hasi.
“Kisha problem të gjeja vendndodhjen e shtëpisë sime në zonën ku banoja në Khan Younis”, tha Aklin, duke shtuar:
“Kam qenë dëshmitar i një shkatërrimi të papërshkrueshëm që nuk e kam parë kurrë në jetën time këtu. Nuk ka ujë dhe nuk ka infrastrukturë për shkak të sulmeve, por ne do të rezistojmë, do të jetojmë në tenda mbi rrënoja”.
Ushtria izraelite njoftoi të dielën se ishte tërhequr nga qyteti Khan Younis.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake në Gaza që nga një sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afro 1200 izraelitë.
Që atëherë, në Gaza janë vrarë rreth 33.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe pothuajse 75 mijë janë plagosur. Gjithashtu është shkaktuar një shkatërrim masiv, zhvendosje dhe mungesë e madhe e gjërave elementare.
Izraeli ka vendosur gjithashtu një bllokadë shkatërruese ndaj Rripit të Gazës, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e enklavës, veçanërisht banorët e pjesës veriore.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila së fundmi i kërkoi Izraelit të bënte më shumë për të parandaluar urinë në Gaza.