Me tërheqjen e një pjese të ujit dhe të shtresës së parë të materialit të grumbulluar, baltës dhe gurëve, mëngjesin e sotëm në dritë dolën përmasat e fatkeqësisë që preku Jabllanicën e Poshtme, zonën më të prekur nga përmbytjet në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), raporton Anadolu.
Ekipet e forcave të armatosura të BeH-së, mbrojtja civile e entiteteve dhe kantoneve, shërbimi i shpëtimit malor dhe vullnetarë të shumtë duke përdorur makineri të rëndë po përpiqen të largojnë pasojat e fatkeqësisë në kohën më të shkurtër të mundshme.
Banorët e Jabllanicës së Poshtme, të cilët humbën fqinjët, të afërmit dhe pronat, sot kanë vizituar vendbanimin e shkatërruar me shpresën se të paktën një nga të zhdukurit do të gjendet i gjallë.
Mlladen Kuliq, udhëheqësi i ekipit USAR të Administratës Republike për Mbrojtjen Civile të BeH-së nga entiteti Republika Srpska, informoi se dje pasdite dhjetë anëtarë të RUCC-së arritën në Jabllanicë të Poshtme për të punuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Kuliq tha se sipas të dhënave fillestare në këtë lokacion janë rreth 15-16 viktima, por ky numër ende nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe se kërkimet për të zhdukurit vazhdojnë në pjesën jugore të zonës.
“Në rrëzë të vetë lokacionit, ku është liqeni, ka ende viktima në automjete dhe ndërtesa”, tha ai.
Duke kujtuar se në shkurt të vitit 2023 ai ishte pjesë e ekipeve të shpëtimit pas tërmeteve shkatërruese në Türkiyen jugore, Kuliq tha se situata e tmerrshme e parë në Türkiye mund të shihet pjesërisht edhe në Jabllanicë të Poshtme.
“Duke marrë parasysh se ashtu si në tërmete, edhe vala e përmbytjeve shkatërroi edhe ndërtesat plotësisht, këtu situata të kujton pjesërisht fatkeqësinë ku ishim në Türkiye, në Kahramanmaraš”, tha Kuliq.
Ndihmë ofrojnë edhe kompanitë e ndërtimit
Kompanitë nga BeH-ja dhe Türkiye si ‘BOSMAN’, ‘HGG’ dhe ‘Cengiz İnşaat’ mbërritën në terren me kamionë dhe makineri të rënda.
‘HGG’ dhe ‘Cengiz İnşaat’ ndodhen në Jabllanicë të Poshtme me gjithsej nëntë kamionë dhe disa lloje të makinerive të rënda.
Më herët, shefi i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në qeverinë e Kantonit Hercegovina-Neretva, Darko Juka, konfirmoi se 13 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut dhe vërshimeve në kanton.
Tërheqja e ujit zbulon përmasat e fatkeqësisë në Jabllanicë të BeH-së, kërkimet për viktima vazhdojnë https://t.co/z5yQbHsbBV pic.twitter.com/JiFuEyzHMC
— Anadolu Shqip (@aa_albanian) October 5, 2024