Gjenerali Scott Miller, komandanti më i lartë amerikan në Afganistan, paralajmëroi se me tërheqjen e forcave të huaja ushtarake nga Afganistani mund të “shpërthejë luftë civile” në këtë shtet, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas “Wall Street Journal”, gjenerali Miller u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në bazën në Kabul, kryeqyteti i Afganistanit.
Ai tha se talebanët kanë vënë edhe më shumë zona nën kontrollin e tyre në periudhën e mëparshme.
“Situata e sigurisë nuk është e mirë për momentin. Nëse trendi aktual vazhdon, mund të parashikojmë se një luftë civile do të jetë e pashmangshme. Kjo duhet të shkaktojë shqetësim në të gjithë botën”, tha Miller.
Ai tha se lufta në Afganistan mund të përfundojë vetëm me një zgjidhje politike. “Nëse nuk e zvogëloni dhunën, zgjidhja politike do të jetë akoma më e vështirë”, theksoi Miller.
I pyetur nëse prania e SHBA-së në Afganistan që nga viti 2001 mund të konsiderohet si një dështim, ai tha se e ardhmja do ta tregonte këtë.
“E ardhmja do të na tregojë vazhdimin e kësaj historie”, tha gjenerali Miller.
Siç është njoftuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, të gjitha trupat amerikane do të largohen nga Afganistani deri më 11 shtator.
Vendosja e trupave të huaja në Afganistan filloi më 7 tetor të vitit 2001, kur SHBA-j me Britaninë e Madhe filluan operacionin e tyre të parë. Atyre iu bashkuan 43 aleatë dhe partnerë të NATO-s pas miratimit të Kombeve të Bashkuara. /aa