Ligji i cili parasheh ndalimin e përdorimit të autoparlantëve gjatë thirrjes për lutjen e muslimanëve në xhami (Ezan) javën e ardhshme mund të kalojë në Parlamentin izraelit për një votim preliminar, raporton Anadolu Agency (AA).
Radioja izraelite ka lajmëruar të mërkurën se propozimi për ndalesën e ezanit mund të hyjë në procedurë parlamentare pasi ministri qeveritar ultra-ortodoks hebre ka tërhequr ankesën kundër propozim ligjit.
Ministri i Shëndetësisë, Yaakov Litzman, një figurë e lartë në partinë Ultra-Ortodokse “Judaizmi Tora e Bashkuar”, tërhoqi ankesën e tij për ligjin pasi i është thënë atij se restriksionet do të aplikohen vetëm mes orëve 23:00 dhe 07:00 gjë e cila do të kap vetëm lutjen e mëngjesit të muslimanëve dhe jo ato hebreje.
Anëtarët palestinezë të Knesset-it përfshirë deputetin Ahmad Tibi, javën e kaluar takuan Litzmanin në një përpjekje për ta bindur atë që të bllokojë ligjin.
Udhëheqësit palestinezë dhe disa liderë nga vendet muslimane, e kanë kritikuar ligjin e propozuar për të cilin thanë se paraqet shkelje të së drejtës për të adhuruar lirisht.
Megjithatë, ligjvënësit izraelitë bashkë me kryeministrin Benjamin Netanyahu e kanë shtyrë përpara projekt-ligjin e diskutueshëm.