Tentim për grusht shteti në Sudan, arrestohen të paktën 40 ushtarë

Në Sudan sot ka pasur një përpjekje për grusht shteti, ka njoftuar televizioni shtetëror i këtij vendi, duke bërë të ditur se ata që ishin përfshirë janë arrestuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mëngjesin e sotëm, televizioni shtetëror transmetoi lajme të jashtëzakonshme, duke informuar publikun se ishte duke u zhvilluar një tentativë për grusht shteti, dhe u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë.

Një burim i lartë ushtarak sudanez tha për AA se një grup puçistësh tentoi të merrte kontrollin e vendit.

Sipas burimit, të paktën 40 ushtarë u arrestuan për pjesëmarrje në përpjekjen për grusht shteti.

Një gazetar i AA-së në Khartoum raportoi se forcat ushtarake ishin vendosur në rrugët kryesore të kryeqytetit dhe se ata kishin mbyllur urat kryesore që lidhnin Khartoumin me qytetet Omdurman dhe Bahri.

Të shtëna sporadike u dëgjuan në një korpus të blinduar në pjesën jugore të Khartoumit, thonë dëshmitarët okularë.

Anëtari i Këshillit të Sovranitetit të Sudanit, Mohamed Al-Faki Suleiman i bëri thirrje popullit sudanez përmes Facebook-ut të kundërshtojë përpjekjen për grusht shteti dhe “të ngrihet për të mbrojtur vendin dhe për të mbrojtur tranzicionin demokratik”.

Në një postim tjetër, Suleiman tha se “Situata në vend është nën kontroll”, duke menduar për dështimin e përpjekjes për grusht shteti. /aa