Ballina Lajmet Kosovë Tentativa e vrasjes së policit në Pejë – Reagon Sindikata e PK-së

Tentativa e vrasjes së policit në Pejë – Reagon Sindikata e PK-së

Sindikata e Policisë së Kosovës, ka reaguar me rastin e rëndë që ka ndodhur në Pejë, ku një person ka tentuar ta vrasë një polic, duke u munduar ta godas me veturë e më pas duke shtënë me armë në drejtim të tij.

Sindikata e PK-së lidhur me këtë rast, ka shprehur shqetësim të thellë dhe se për të njëjtin ka thënë se është akt kriminal dhe i papranueshëm.

“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për incidentin e rëndë ku një veturë me targa vendore ka tentuar ta godasë një zyrtar policor në detyrë. Zyrtari policor, për fat të mirë, ka arritur t’i shmanget goditjes nga kjo veturë, ndërkohë që i dyshuari, gjatë lëvizjes, ka shtënë me armë zjarri nga dritarja e automjetit.

Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar dhe aktualisht po përballet me procedurat ligjore. Ky akt kriminal dhe i papranueshëm nuk përbën vetëm një sulm ndaj zyrtarit policor, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, rendit dhe sigurisë publike”., thuhet në njoftim.

Sindikata i bën thirrje organeve të drejtësisë që të veprojnë me vendosmëri, duke siguruar që autori i këtij akti të përballet me dënimin maksimal që parashikon ligji.

“Sulmet ndaj zyrtarëve policorë nuk duhet të tolerohen dhe duhet të trajtohen me prioritet për të dërguar një mesazh të qartë se ligji dhe rendi janë të pacenueshëm.

Zyrtarët policorë janë shtylla e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjes së institucioneve të shtetit.

Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve dhe Republikës së Kosovës, dhe çdo akt dhune ndaj saj duhet të dënohet fuqishëm nga të gjithë. Sindikata qëndron e palëkundur në përkrahje të çdo anëtari të Policisë së Kosovës dhe do të vazhdojë të kërkojë drejtësi dhe siguri maksimale për zyrtarët tanë”.

Exit mobile version