Opozita parlamentare e Shqipërisë, e kryesuar nga Partia Demokratike (PD) ka mbajtur një protestë përpara Kuvendit të Shqipërisë kundër zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm, ndërsa në protestë ka patur përplasje mes protestuesve dhe policisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Mes tensioneve në seancë, Arta Marku është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, në postin e kryeprokurores së përkohshme. Marku ka marrë 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim, nga 140 deputetë gjithsej që ka Kuvendi, ndërsa edhe është betuar para deputeteve. Gjatë seancës janë hedhur tymuese në sallën e seancave plenare nga deputetët e opozitës.
Protestës jashtë selisë së Kuvendit i janë bashkuar edhe partitë e tjera opozitare, të cilat kanë kundërshtuar procedurën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ndërsa në protestë ka pasur tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Protestuesit kanë tentuar të depërtojnë kordonin e policisë.
Protestuesit kanë qëlluar me gurë si dhe kanë hedhur tymuese në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa nga protestuesit dhe forcat e policisë ka patur disa të lënduar.
Në protestë kanë mbajtur fjalime deputetë të partive opozitare, si të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, të cilët i kanë kërkuar mazhorancës të tërhiqet nga vendimi për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm, pasi sipas tyre është në shkelje të Kushtetutës.
Policia shqiptare ka marrë masa të larta sigurie për të garantuar rendin dhe sigurinë për mbarëvajtjen e protestës së opozitës, ku ishin të vendosura forca të shumta policore jashtë selisë së Kuvendit të Shqipërisë.
Kujtojmë se kryeprokurorja e përkohshme e Shqipërisë, Arta Marku, do të ushtrojë detyrën deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit, që do të zëvendësojë kryeprokurorin Adriatik Llalla, mandati i të cilit përfundoi në fillim të dhjetorit shkaktoi debate në javën e fundit mes opozitës dhe maxhorancës. Opozita kërkonte që Llalla të vazhdonte detyrën e tij dhe të mos zgjidhej një kryeprokuror i përkohshëm.