Deputetët e Luginës së Preshevës kanë kundërshtuar që Ivica Daçiq të jetë kryetar i Kuvendit të Serbisë.
Në seancën e Kuvendit të Serbisë, është propozuar që ministri aktual i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, të jetë kryetar i ardhshëm i kuvendit, mirëpo një propozim i tillë ka ngjallur reagime dhe kundërshtime nga deputetët e Luginës së Preshevës, transmeton lajmi.net.
Siç shkruajnë mediet serbe, deputetët e listës “Lugina e Bashkuar – SDA Shanxhak”, kanë kundërshtuar propozimin e socialistëve që Daçiq të jetë në krye të Kuvendit, pasi që sipas tyre, ai nuk është simbol i demokracisë.
Deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, ka thënë se ai bashkë me deputetët e kësaj liste, nuk do ta mbështesin këtë propozim.
Sipas Kamberit, “nuk mund të shikohet në të ardhmen nëse një komb nuk përballet me të kaluarën e tij”, pasi që siç u shpreh Kamberi, Daçiq, i cili është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, ka qenë pjesë e elitës politike që ka shkaktuar luftëra të përgjakshme në territorin e ish-Jugosllavisë dhe si i tillë nuk përfaqëson simbol të demokracisë, transmeton më tutje lajmi.net.
“Të gjithë e dimë se Daçiq ka nisur iniciativën për fshirjen e vendbanimeve të qytetarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për të zvogëluar numrin e shqiptarëve në këtë rajon”, citohet të ketë thënë Kamberi.
“Ai (Daçiq) gjithashtu bën thirrje për zbulimin e mundshëm të varreve të mundshme masive që ekzistojnë në Serbi dhe për këtë arsye nuk do të marrë votën tonë”, ka thënë Kamberi, duke shtuar se “nëse mohimi i krimeve të luftës dhe mbulimi i varreve të mundshme masive nuk është një arsye e mjaftueshme, atëherë kjo shoqëri ka një problem të madh”.
Kamberi po ashtu citohet t’i ketë thënë Daçiqit, se nëse mosnjohja e pavarësisë së Kosovës i atribuohet Daçiqit si sukses ashtu siç mendojnë disa deputetë, atëherë ky është mendim dhe vlerësim i gjithsecilit mirëpo, nuk është që mund të mburret ndonjë diplomat me këtë dhe se edhe diplomatët e huaj e kundërshtojnë Daçiqin në këtë aspekt.
E pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe Daçiq duke i thënë Kamberit se gjatë kohës sa ishte ai kryetar i Bujanocit në momentin kur u vra një polic ai nuk ishte i dëshirueshëm në këtë komunë.
“Si ministër i Punëve të Brendshme në kohën kur u vra polici në Bujanoc unë isha i padëshirueshëm për Kamberin”, tha Daçiq, transmeton më tutje lajmi.net.
Daçiq po ashtu e arsyetoi veten edhe rreth fshirjes së shqiptarëve nga regjistri civil.
“Ne nuk kemi punuar në uljen e numrit të shqiptarëve, por në luftën kundër regjistrimit të rremë të vendbanimit, sepse ishin 20 të regjistruar në një adresë”, iu përgjigj Daçiq deputetit Kamberi rreth fshirjes së vendbanimit të qytetarëve.