Telashe në Hoffenheim, Bayern merr tri pikët në ndeshjen që u ndërpre nga tifozët

Bayern Munich ka shkatërruar skuadrën e Hoffenheim, në xhiron e 24-të në Bundesliga.

Gjiganti bavarez ka mposhtur Hoffenheimin me rezultatin 0:6, për tri pikët e reja, shkruan lajmi.net.

Serinë e golave në këtë ndeshje e hapi Serge Gnabry, i cili shënoi qysh në minutën e 2’ të takimit. Vetëm pesë minuta më vonë, Joshua Kimmich dyfishoi epërsinë e Bayern, duke bërë të ditur se do të ishte një pasdite e vështirë për vendasit.

Në minutën e 15’, Bayern shënoi edhe golin e tretë, me Joshua Zirkzee që gjeti rrugën e golit.

Rezultatin e pjesës së parë (0:4) e vulosi braziliani Philippe Coutinho, me golin e shënuar në minutën e 33’.

Pjesa e dytë nisi po ashtu furishëm për skuadrën e Hansi Flick, e cila gjeti golin e pestë në minutën e 47’, përsëri me brazilianin Coutinho.

Për 0:6, që doli të ishte rezultati final, u përkujdes Leon Goretzka, i cili shënoi kur kishin kaluar 62 minuta lojë.

Tetë minuta para fundit të ndeshjes, tifozët mysafirë bënë që loja të ndërpritet, duke bërë thirrje me nxitje urrejtje ndaj Dietmar Hopp, shefit të Hoffenheim, një prej personave më të pasur në Gjermani.

Ndeshja rifilloi pas rreth 15 minutave, me dy skuadrat që i pasonin topin njëra tjetrës.

Kështu, Bayern ngritët në 52 pikë, duke përforcuar kreun e tabelës, kurse Hoffenheim numërojnë 34 pikë për pozitën e tetë.