Tekstet e historisë me të dhëna të pasakta

Përmbajtja e teksteve shkollore ka krijuar konfuzitet tek nxënësit dhe përmirësimi i tyre do të ndikojë në përballimin më të lehtë të së kaluarës, u tha në tryezën e organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë me temën “Ballafaqimi me të kaluarën në tekstet shkollore të historisë dhe të edukatës qytetare”

Bekim Blakaj nga FDH theksoi se gjatë rishikimit të teksteve shkollore kanë hasur në të dhëna të pasakta, duke shtuar se gjetjet e fondit janë se duhet të ndryshohen disa mësime për periudhen e para, gjatë dhe pasluftës.

Blakaj deklaroi se në asnjë tekst shkollor nuk flitet për mekanizmat e drejtësisë tranzicionale, e një gjë e tillë siç tha ai do të ishte shumë e rëndësishme për të rinjtë.

Sipas tij, këto tema e shumë të tjera do duhej të ishin në kurikulat arsimore e në tekstet shkollore të bëheshin ndryshime.

Ndërkaq, Fatmir Bytyqi nga ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se historia e shkruar në libra është histori politike, por Kosova ka pasur një histori tjetër të fshehur, duke krijuar konfuzitet.