“Tebbet jeda…” – GYLENIT

Prof.Dr. Ismail Bardhi

Me emrin e Zotit

“TEBBET JEDA…” – GÜLENIT

“Ne gjithmonë në fund i fitojmë fytyrat e të vërtetave tona.”

Albert Camus

Pas një periudhe thuajse 100-vjeçare ndodhi 15 korriku i këtij viti, për arsye se para 100 vitesh përjetoi fundin një ndër perandoritë më të mëdha në historinë botërore, ndaj të cilës historiografia është treguar e padrejtë dhe atë për arsye të shumta. E para, për arsye se e heshti, u mundua ta shtrembërojë historinë dhe përpos kësaj filloi një botëkuptim i ri për luftën, pasojat e të cilit ne në çdo mënyrë jemi duke i përjetuar, saqë për shkencën e historisë, gjeografisë dhe diplomacisë akoma priten luftëra të ndryshme.

Nuk do të doja që kjo të kuptohet si mbrojtje e Islamit, sepse unë nuk e kam atë të drejtë, por mund të thuhet se për momentin jam duke u përpjekur t’i mbroj muslimanët; po të kishin qenë edhe të krishterë – do t’i mbroja, sepse fjala është për qenien njerëzore.

Pse dhe si erdhi deri te fundi i asaj perandorie mbetet enigmë. Për nga shenjat na jepet të kuptojmë se prapa çdo gjëje ka ekzistuar diçka, edhe pse shpeshherë mbetemi pa argumente. Ne nuk dimë më shumë se ato fotografi dhe rrëfime, dokumente të zbuluara dhe të pazbuluara, që dëshmojnë tmerrin dhe padrejtësinë që kanë përjetuar popujt e këtyre vendeve me përkatësi muslimane. Besoj se nuk ka pëllëmbë toke që nuk është lagur me gjakun e muslimanëve të përkatësive kombëtare të ndryshme në këto hapësira.

Pas gjithë kësaj u krijua një shtet; po, shtet – Republika e Turqisë. Pa u futur në debat për atë se çka mbeti nga një perandori aq e madhe, në atë kohë të pas-perandorisë u paraqit një mendësi alla “republikançe” që harroi gjithçka kishte kaluar dhe që në fillim të krijimit të këtij shteti filloi një shekullarizëm i paparë; me zhargonin e sotëm duke i shkelur të gjitha liritë njerëzore, përveçse atyre shekullare: e goditi fenë, besimin, besimtarët; ndaloi, dënoi, shkatërroi gjithçka sakrale, u mundua të bëjë eksperimente më primitive duke filluar me përkthimin e teksteve të shenjta në lutje; e ndërpreu Hilafetin, institucionin më të lartë të besimtarëve muslimanë. Në gjithë këto ndodhi rol parësor kishte ushtria.

Ushtria e Turqisë natyrisht se e ka pasur, e ka dhe duhet ta ketë peshën e vet; por në të njëjtën kohë nuk duhet të harrojë se si është sjellë ajo ndaj besimtarëve në radhët e veta dhe në mesin e popullit të vet, si dhe grusht-shtetet që i ka ndërmarrë e që i kanë kushtuar shumë edhe vetë ushtrisë, e lëre më një shteti modern si Turqia.

Ajo(ushtria) e ka penguar zhvillimin e një shteti modern me një mendësi të pavarur intelektuale e kulturore. Edhe ne nuk guxojmë të heshtim, por ta përshkruajmë dhe dokumentojmë me fakte se çka ka ndodhur, në ç’mënyrë ka funksionuar ushtria.

Mendësia e ushtarakëve të lartë në Turqi krijoi një mendësi të pamëshirshme në kokën e njeriut, dhe në vend që njeriun ta bënte të pavarur, ajo e robëroi mendjen e tij dhe vazhdoi të tallej me atë Perandori, por aty ku i shkonte për shtati e pasqyronte pikërisht mendësinë e “pashallarëve” të shkuar. Një nga rezultatet e kësaj mendjeje të robëruar doli në shesh me datën 15 korrik të këtij viti. Mjerim! Si mundet që një ushtri e “shenjtë”, shumë e dashur për besimtarët, për vendin, të lejojë që në radhët e veta të ketë të atillë që për hir të tekeve të veta dhe duke iu bindur direktivave të një lideri “sekret” të bëhen xhelatë e bijve të vet!?

Edhe në këtë rast u ballafaquam me të njëjtën skenë si para 100 vitesh: shkatërrimi i një perandorie, grabitja e territoreve të saja, copëzimi dhe dëbimi i popullatës muslimane. Edhe kësaj radhe bota perëndimore jo vetëm që heshti fillimisht për një veprim të tillë kryekëput anti-demokratik, pra grushti i shtetit, por sipas të dhënave pas tij qëndruan shërbime të ndryshme pikërisht të botës perëndimore, duke u fshehur pas një “lideri” fetar që sipas moshës dhe vokabularit të tij nuk ka mundësi as të dënohet e as të merret seriozisht, përpos të lihet të vdesë i përbuzur.

Këtij mendimi iu bashkëngjitën edhe disa organizata të ndryshme të Perëndimit, të cilëve goja u shkumon kur flasin për lirinë e “terrorizmin”, e në anën tjetër brenda 1 sekonde dëshmuan se nuk janë gjë, përpos përkrahës të terrorizmit dhe çrregullimeve. Ne këtu në rrethin më të ngushtë e pamë këtë me konfliktin serbo-kroat, serbo-boshnjak, kroato-boshnjak, serbo-shqiptar, maqedono-shqiptar. Çdokush “fitoi”, përveç atyre që e merituan fitoren. Këto forca “demokratike” shkuan aq larg saqë krijuan edhe gjykata speciale ndërkombëtare kinse për t’i dënuar fajtorët, por për fat të keq vetëm e përligjën krimin dhe ua zyrtarizuan “pafajësinë”.

Jehonën e ndodhive të 15 korrikut e dëgjuam, e pamë, dhe atë në formën më të përkryer: u tregua se sado që është për disa arkaike, dashuria për vendin, për lirinë ishte në nivel që nuk mund të përshkruhet, dhe si vulë e përhershme e kësaj mbeti gjaku i shehidëve. Shehidi u bë shahid i kohës, si dëshmor dhe dëshmitar. Gjaku i shehidit ma përkujtoi një thënie të filozofit evropian, i cili shpalli një parullë shumë të njohur: “Zoti është i vdekur!?!”, por pas vdekjes së këtij filozofi studentët revolucionarë në një grafit shkruan: “Zoti e vdiq Niçen”.

Për çfarë bëhet fjalë: për atë se me këtë që ndodhi u dëshmua rezillëku i një lëvizjeje që nën petkun e Islamit dhe muslimanëve u mundua ta luftojë Zotin me vetë Zotin, duke harruar se nuk ka fuqi në botë që mund ta luftojë Zotin, dhe jo vetëm që u dëshmua pastërtia e madhe e Zotit e ngjyrosur me gjakun e shehidit, por edhe u demaskuan fytyrat më të rrezikshme, më të mallkuara që i tregon Kur’ani dhe tradita e Pejgamberi a.s. Në emër të Zotit nuk luftohet Zoti; në emër të Zotit nuk lejohet as mashtrimi as “ketmani”; në emër të Zotit nuk mund të ndryshohet Fjala e Zotit, nuk mund të prishet thelbi i drejtësisë dhe pastërtisë. Në ato çaste u dëshmua ndihma e Zotit dhe era e Bedrit: u ndalua gjakderdhja, u ndalua një përsëritje shumë e trishtueshme që mbi kokën e këtij populli është përsëritur në mënyrën më joqytetëruese, më të ashpër. Vetëm ta kujtojmë grushtin e shtetit të 12 shtatorit të vitit 1980 të udhëhequr nga Kenan Evren: mbi 600.000 njerëz janë burgosur dhe marrë në hetime, ndërsa mbi 1 milion e 600 mijë janë përgjuar e përndjekur, e të mos flas se sa ka pasur të vrarë dhe të vdekur të cilëve nuk u dihet as nishani, por që janë shpallur si raste vetëvrasjeje (për detajet shih http://www.birgun.net/haber-detay/12-eylul-darbesinin-korkunc-bilancosu-78576.html).

Nuk do të doja që kjo të merret si justifikim për atë se kësaj garniture politike i lejohet apo se ka të drejtë të bëjë ç’ti dojë qejfi; jo, ajo e ka të ndaluar një mënyrë të tillë veprimi, po edhe nëse ka diç të tillë, ne nuk kemi të drejtë të heshtim, sidomos për shkak se ne të gjithë dëshmojmë se i përkasim një feje qiellore dhe se jemi besimtarë, e besimtari e ka të ndaluar zullumin dhe padrejtësinë. Ata që besojnë me besim të sinqertë, të plotë, të pastër nuk ka nevojë të dyshojnë, e mos dhëntë Zoti të kenë frikë.

Çka duhet kuptuar nga kjo që u tha dhe çfarë urtësie mund të nxjerrim? Besoj se është koha të merremi me problemin më të rëndësishëm që ekziston në mesin tonë dhe që është një problem më i përgjithshëm universal i muslimanëve: pra, si të arrihet deri te mendja e lirë, e pavarur. Për të bërë një gjë të tillë, duhet që fillimisht t’i kthehemi “mendjes së robëruar” të cilën e prekëm pak më lart.

Që nga shpallja e Republikës së Turqisë, kushdo që do të merrte guximin ta kritikonte dogmën se shekullarizmi (i personifikuar edhe në ushtrinë) në Turqi nuk kishte fuqinë e robërimit të mendjeve, se fuqia e tij mbi mendjet bazohej kryesisht mbi terror dhe frikë, rrezikohej të anatemohej. Presion i hatashëm ideologjik bëhej për krijimin e njeriut të ri “me kaçketë”. Me këtë proces ishte rrezikuar identiteti i personit. Ne që kemi jetuar për një kohë brenda sistemit “socialist/komunist” kemi qenë dëshmitarë të dukurisë së antikomunizmit dhe kriptokomunizmit, që në rastin e Turqisë mori konotacion krejtësisht të kundërt; pra aty “kripto”-ja u përdor për ta luftuar të vërtetën ose për të vendosur një sistem jo-demokratik, as sipas standardeve të shekullarizmit turk. Në këtë “kripto” vërejmë një zbrazëti të madhe onto-teologjike dhe epistemologjike.

Ç’është në të vërtetë “ketmani” që u përmend pak më lart? Sipas atyre që e justifikojnë dhe ndjekin atë: ai që e posedon të vërtetën, nuk duhet t’ia ekspozojë veten, pronën e vet dhe respektin e vet verbërimit, marrëzisë dhe keqdashjes së atyre që Zoti më me dëshirë i ka futur në mashtrim dhe i ka lënë në mashtrim. Pra, bindjet personale të vërteta duhen fshehur. E nëse kjo nuk mjafton? Atëherë nuk duhet hamendësuar: jo vetëm që duhet hequr dorë publikisht nga pikëpamjet personale, por këshillohet edhe përdorimi i të gjitha hileve, vetëm për ta mashtruar “armikun”. Në atë rast mund të shprehen të gjitha pohimet e fesë që mund t’i pëlqejnë, do të kryhen të gjitha ritet që konsiderohen si më të marra, do të falsifikohen librat, do të shfrytëzohen të gjitha mjetet që çojnë në hamendësim. Në këtë mënyrë do të fitohet kënaqësi e madhe dhe meritë që njeriu e ka shpëtuar veten dhe të vetët, që fenë e vlefshme nuk ia ka ekspozuar kontaktit të pështirë me mosbesimtarin dhe, në fund, me mashtrimin e këtij të fundit dhe duke e forcuar atë në mashtrimin, mbi të ka rënë turpi dhe mjerimi fetar që ai e ka merituar. Pra, ky është një lloj aktrimi; njeriu duhet vazhdimisht të “aktrojë”, të maskohet. Ndonëse ky maskim është i vështirë, ai u ofron edhe kënaqësi të caktuara atyre që e praktikojnë atë.  E megjithatë, kjo lojë domosdo ka përfunduar me disfatë, ngaqë “djalli nuk mashtrohet dot”. Mirëpo, edhe pse kjo që u tha më sipër ka një ngjyrim kryesisht fetar, nuk do të thotë se “ketmani” aplikohet vetëm në rastin e fesë. Jemi dëshmitarë edhe për “ketmanë” intelektual, ushtarak, etik, kombëtar etj. Pra, siç shihet, ketmani është i dëmshëm, është aktrim.

A thua ky organizim që e mbështet ekzistimin e vet mbi “ketmanin” ka marrë fund. Apo mos vallë janë krijuar kushte për një “ketman” tjetër? Nëse mbështetemi mbi shkrimet e ndryshme dhe debatet e bisedat televizive, vërejmë se kjo “forcë” vetëm ndryshon formën, sepse e ka të lehtë një gjë të tillë, për arsye se me “ketmanin” i shërben ndonjë sistemi apo ideologjie tjetër, qoftë lindore apo perëndimore, fetare apo jofetare. Pse?!? Thjesht, sepse janë larg së Vërtetës. Për shembull, sot kemi njerëz që e thonë të vërtetën, por që në një sekondë e harrojnë gjithë atë dhe e mbrojnë të pavërtetën dhe anti-logjiken, kur është fjala për Islamin: konkretisht, në vend që të dënohet terrori, kriminaliteti, u krijua sintagma “terrorizmi islamik”.

Me grushtin e shtetit të fundit (inshaAllah) në Turqi nuk ka dyshim se ndodhi diçka shumë e rëndësishme. Së pari përfundoi një tmerr duke iu shmangur masakrës që e kanë traditë grusht-shtetet, sepse po të kishte ndodhur diçka e tillë, shumë intelektualë, shumë mendimtarë të lirë pa marrë parasysh bindjet e tyre fetare do të dënoheshin; do të kishte dënime me vdekje; do të krijohej sistemi më i sofistikuar i një mendjeje të robëruar; do të krijohej frikë dhe tmerr në mendjet dhe shpirtrat e njerëzve në këtë kohë; do të merrte kah krejtësisht tjetër ai shtet dhe ai popull, që vetvetiu nënkupton edhe ndikimin përreth atij shteti. Pas gjithë kësaj, besoj se ne muslimanët duhet të mësohemi se si mund të mbrohemi nga lëvizjet e ndryshme, ose nga qeverisje të ndryshme që krijojnë kushte për “ketman” dhe rrezikun prej tij. Kjo kërkon një përpjekje shumë të madhe intelektuale dhe reformë të thellë për një mendim të lirë, por jo të shthurur,  që do ta largojë atë hijen e zezë që krijohet për Islamin dhe muslimanët. Është fakt se muslimanët janë të rrezikuar si kurrë më parë. Ky moment vërehet nëpër biseda, tubime, aeroporte anembanë botës, por nuk mjafton që të mbetet kështu; demokracia e Turqisë duhet patjetër ta ketë si obligim të domosdoshëm që duke u bazuar në atë se si ta çlirojë dhe ta bëjë të pavarur mendjen e njeriut turk, duhet të bëjë llogaridhënie objektive dhe të ndershme me të kaluarën e afërt, për çka nuk është marrë kurrë notë e ndershme dhe e drejtë.

Qeveria aktuale në Turqi ka një përgjegjësi shumë të madhe, pa marrë parasysh padrejtësitë ndaj të cilave është e ekspozuar ajo. Ajo nuk guxon të krijojë mendësi të viktimës dhe të harrojë se si duhet të merret edhe me të kaluarën, edhe me të tashmen, edhe me të ardhmen. Është kjo një kohë e vështirë, e rrezikshme ku për çdo ditë dëshmohet se fare nuk bëhet fjalë për lirinë, si liri e mbështetur mbi rregulla, mbi besim, por për diçka krejtësisht tjetër që nuk i ndihmon aspak njerëzimit. Për këtë natyrisht se duhet të ekzistojë një paradigmë shpëtimtare, që faktikisht edhe është duke e bërë Turqia sot, sepse askujt nuk ia merr lirinë, sepse e di se liria as nuk merret e as nuk jepet. Këtu dikush mund të polemizojë se si qëndron puna me “lirinë” e lëvizjes Gülen; përgjigjja është se ata nuk e duan lirinë; po ta kishin dashur, nuk do ta përdornin metodën e “ketmanit” djallëzor.

Dr. Ismail Bardhi

Shkup, 07.08.2016